Lidhje

Irak, pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet parlamentare


Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Irak shënuan një nga pjesëmarrjet më të ulta ndër vite, sipas zyrtarëve që administrojnë procesin, çfarë sugjeron një rënie të besimit tek udhëheqësit politikë dhe sistemi demokratik që u vendos, pas vitit 2003 kur Shtetet e Bashkuara ndërhynë në këtë vend dhe rrëzuan nga pushteti Sadam Hyseinin.

Elita qeverisëse e dominuar nga partitë e fuqishme të islamistëve shiitë, të cilat mbështeten edhe nga milicitë e armatosura, pritet të marrin numrin më të madh të votave. Lëvizja e udhëhequr nga kleriku populist shiit Moqtada al-Sadr, i cili kundërshton çdo ndërhyrje të huaj e që rivalët kryesorë të së cilës janë grupet shiite aleate të Iranit, pritet të jetë grupi më i madh i parlamentit.

Një rezultat i tillë nuk do të ndryshonte në mënyrë dramatike ekuilibrin e pushtetit në Irak ose më gjerë në Lindjen e Mesme, thonë disa zyrtarë irakianë, diplomatë dhe analistë të huaj, por për irakianët mund të nënkuptojë një rritje të ndikimit mbi qeverinë të një ish-udhëheqësi të kryengritjeve dhe një islamisti konservator.

Zgjedhjet u bojkotuan nga shumë prej aktivistëve të rinj që dolën në rrugë dy vite më parë me thirrje për t'i dhënë fund korrupsionit dhe keqadministrimit të vendit.

Futja e vendit në zgjedhje të parakohshme u nxit nga kryengritjet popullore në kryeqytetin e vendit, Bagdad dhe në provincat në jug të vendit në fund të vitit 2019. Me dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë gjatë protestave masive duke u përballur me forcat e sigurisë që qëlluan ndaj demostruesve me armë e hodhën gaz lotsjellës. Brenda disa muajsh në vend u vranë më shumë se 600 persona dhe u plagosën me mijëra të tjerë.

Edhe pse autoritetet u dorëzuan dhe thirrën zgjedhjet e parakohshme, numri i të vdekurve dhe goditja e ashpër ndaj protestuesve, bëri që shumë aktivistë që morën pjesë në demostrata të bëjnë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.

Vendi është përfshirë nga apatia dhe skepticizmi i thellë se kandidatët e pavarur mund t’ia dalin të fitojnë ndaj partive dhe politikanëve të kastës së vjetër, shumë prej tyre të mbështetur nga milicia e armatosur.

Në zgjedhje garuan gjithsej 3,449 kandidatë për 329 vende në parlament. Ky është procesi i gjashtë zgjedhor që nga viti 2003, kohë kur SHBA hyri në këtë vend e rrëzoi nga pushteti Sadam Huseinin.

Më shumë se 250,000 forca sigurie u angazhuan në mbrotjen e procesit zgjedhor. Ushtarë, policë e forca të antiterrorizmit ishin vendosur jashtë qendrave të votimit, disa prej të cilave ishin rrethuan me tela me gjemba. Votuesit kontrolloheshin përpara se të hynin në qendrat e votimit.

Më herë gjatë ditës Presidenti i Irakut Barham Salih dhe kryeministri Mustafa al-Kadhimi u bënë thirrje irakianëve për pjesëmarrje masive në votime.

Dy zyrtarë të komisionit zgjedhor i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se pjesëmarrja e votuesve në rang vendi ishte 19% deri në mesditë. Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet e fundit në vitin 2018 ishte 44.5%. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve priten të dalin të hënën, ndërsa shifrat përfundimtare mbi pjesëmarrjen mund të shpallen të dielën në mbrëmje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG