Lidhje

Tre shkencëtarë në SHBA fitojnë çmimin Nobel për ekonominë


Tre ekonomistë me qendër në Shtetet e Bashkuara fituan të hënën çmimin Nobel 2021 në ekonomi për studimet e tyre mbi ndikimet e pagës minimale, emigracionit dhe arsimit në tregun e punës dhe për krijimin e kuadrit shkencor për të lejuar nxjerrjen e përfundimeve nga studime të tilla kur metodologjia tradicionale nuk mund të përdoret.

David Card i Universitetit të Kalifornisë në Berkeley, i lindur në Kanada, do të marrë gjysmën e shpërblimit që vjen me çmimin, ndërsa gjysma tjetër do të ndahet mes Joshua Angristit i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets dhe Guido Imbensit, me origjinë holandeze, 58 vjeç, i Universitetit Stanford.

Akademia Mbretërore Shkencave të Suedisë tha se të tre kanë "reformuar plotësisht punën e shembujve konkret në shkencat ekonomike".

"Studimet e Cardit mbi çështje parësore për shoqërinë dhe kontributet në metodologji të Angristit dhe Imbensit kanë treguar se eksperimentet natyrore janë një burim i pasur dijeje," tha Peter Fredriksson, kryetar i Komisionit të Nobelit për Shkencat Ekonomike.

"Hulumtimi i tyre ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për t'iu përgjigjur pyetjeve të rëndësishme, gjë që ka qenë me përfitim të madh për shoqërinë."

Në kërkimet e tij, zoti Card përdori përvojën e restoranteve në Nju Xhersi dhe Pensilvani për të matur efektet e rritjes së pagës minimale. Ai dhe partneri i studimeve Alan Krueger, që ka vdekur, zbuluan se një rritje në pagë minimale për orë pune nuk ndikon tek punësimi, duke sfiduar idenë se një rritje e pagës minimale do të ulte shkallën e punësimit.

Puna e akademikut Card sfidoi gjithashtu një ide tjetër mjaft të përhapur, sipas së cilës punësimi i emigrantëve ul pagat për punonjësit vendas. Ai arriti në përfundimin se të ardhurat e punonjësve vendas mund të përfitojnë nga emigracioni i ri dhe janë emigrantët më të hershëm ata që rrezikohen të preken negativisht.

Angrist dhe Imbens fituan për kontributin e tyre për zgjidhjen e çështjeve të metodologjisë që u mundësojnë ekonomistëve të nxjerrin përfundime të qëndrueshme për shkaqen dhe efektet, edhe kur është e pamundur të kryejnë studime sipas metodave rigoroze shkencore.

Duke folur me telefon nga shtëpia e tij në Masaçusets, Imbens u tha gazetarëve se kishte qenë në gjumë kur e kishi telefonuar.

"Kishim një fundjavë të ngarkuar." tha Imbens. "Isha absolutisht i emocionuar kur dëgjova lajmet."

Ai tha se ishte veçanërisht i emocionuar për Angristin, mik i tij i ngushtë që kishte qenë në dasmën e tij.

Ndryshe nga çmimet e tjera Nobel, çmimi i ekonomisë nuk ishte parashikuar në testamentin e Alfred Nobelit, por banka qendrore suedeze e shpalli atë në vitin 1968, dhe fituesi i parë u zgjodh një vit më pas.

Javën e kaluar, Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2021 iu dha gazetarëve Maria Ressa nga Filipine dhe Dmitry Muratov nga Rusia për luftën e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes në vende ku gazetarët janë përballur me sulme të vazhdueshme, ngacmime dhe madje edhe vrasje.

Ressa ishte gruaja e vetme e nderuar këtë vit në të gjitha kategoritë.

Çmimi Nobel për letërsinë iu dha shkrimtarit tanzanian i vendosur në Britani, Abdulrazak Gurnah, i cili u vlerësua për "përshkrimin pa kompromis dhe të ndjerë të efekteve të kolonializmit dhe fatit të refugjatëve".

Çmimi për mjekësi iu dha amerikanëve David Julius dhe Ardem Patapoutian për zbulimet e tyre në mënyrën sesi trupi i njeriut e percepton temperaturën dhe prekjen.

Tre shkencëtarë fituan çmimin e fizikës për studime që gjetën rregull në sisteme që dukeshin pa rregull, duke ndihmuar në shpjegimin dhe parashikimin e forcave komplekse të natyrës, përfshirë zgjerimin e të kuptuarit tonë për ndryshimet klimatike.

Benjamin List dhe David W.C. MacMillan fituan çmimin e kimisë për gjetjen e një mënyre më të lehtë dhe më të pastër për mjedisin për të ndërtuar molekula që mund të përdoren për të bërë përzierje, përfshirë ilaçe dhe pesticide.

XS
SM
MD
LG