Tetë parti politike kanë vënë kandidaturat e tyre për postin kryetarit të komunës së Prizrenit, një komunë me rreth 166 mijë votues.
Organizatat e shoqërisë civile në Prizren thonë se partitë politike edhe kësaj radhe kanë paraqitur programe të mira në letër, por që në realitet nuk zbatohen.
“Kemi premtime të mira në letër por shumë shpesh nuk gjejnë zbatim kur fitojnë pushtetin, kjo ndoshta ndikon edhe për shkak të pazareve politike që bëhen koalicione për të pasur shumicën prandaj duhet edhe patjetër të integrohet edhe programi i partisë tjetër në programin që ti e ke paraqitë dhe kemi një devijim të programeve dhe jo shumë herë kemi zbatim të programit siç e kanë paraqitur në fillim të fushatës”, tha Eroll Shabani nga organizata “Ec më ndryshe”.
“Edhe kësaj radhe kemi parë programe të ndryshme por në një farë forme sikurse ngjasojnë me njëra tjetrën duke edhe i përsëritë disa prej premtime që i kanë pasur subjektet politike në zgjedhjet lokale të vitit 2017”, thotë Naim Cahani nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ata thonë se subjektet politike në këto njëzet vitet e fundit ndryshe kanë premtuar dhe ndryshe kanë vepruar dhe kjo ka bërë që qytetarët të humbasin besimin tek zgjedhjet.
Konkurrenca më e fortë zhvillohet ndërmjet tre partive, lëvizjes Vetëvendosje e cila drejton komunën që nga viti 2017, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por cilat janë problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Prizrenit?
“Papunësia është gjëja më e domosdoshme në Prizren, të tjerat vijnë por pa pare… shiko qytetin e boshatisur, nuk kanë të holla janë të lodhur, i ka lodh pandemia. Po të mos ishin gurbetqarët Kosova është shumë keq”, tha Shaban Kryeziu.
“Prej partive politike presim që të përmbushin obligimet e qytetarëve, që të kujdesën për qytetin si dhe për gjendjen materiale dhe ekonomike të qytetarëve të Prizrenit”, tha Jasmin Gjigolli.
“Ne veç jemi mësuar 20 vjet, dëshirat dhe ajo çfarë pretendohet në fushatë vështirë të realizohet në praktikë sepse janë shuma marramendëse, janë projekte të cilat jo Prizrenit por edhe të Kosovës nuk mund t’i dalin ball prandaj po më vjen keq por të gjitha partitë pa përjashtim bëjnë apo më mirë të themë shohin ëndërra për të joshur votuesit”, tha Shkelzen Kryeziu nga Prizreni.
Komuna e Prizrenit ka një buxhet prej rreth 50 milionë eurosh prej të cilave afër 20 milionë janë për investime.
Eroll Shabani nga organizata “Ec më ndryshe” thotë se problemet e Prizrenit vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura dhe ato po barten në çdo qeveri lokale.
“Si problem të parë e kisha cekur gjithëpërfshirjen në hartimin e politikave që është një problem që vazhdon të mos zgjidhet nga asnjë qeverisje pastaj kemi edhe probleme tjera që e prekin direkt qytetarin qysh është sigurimi i ujit pijes për të gjithë banorët, pastaj kanalizimi, derdhja e ujërave të zeza në Lumbardh, probleme me ndiçim publik dhe infrastruktura janë disa nga problemet që ende kërkojnë zgjidhje dhe nuk po mund të zgjidhen nga një qeverisje”, tha ai.
Naim Cahani nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se një nga sfidat e mëdha është mungesa e perspektivës dhe vendeve të punës për të rinjtë.
“Dhe kjo ndoshta duhet të ju shërbej subjekteve politike për të ndërtuar programe të mirëfillta qeverisë për katër vjet që kjo rini të orientohet në kuadër të zhvillimit të Prizrenit dhe të mendohet se si këtë rini ta integrojmë në tregun e punës. Pra mungon kryesisht zhvillimi ekonomik në Prizren, nuk është që kemi hapje të vendeve të reja të punës por kjo më së shumti i prek grupmoshta e reja pra rinija që është e gatshme për tregun e punës dhe rinia shikon për të gjetur alternativë për të shkuar jashtë”, tha ai.
Prizreni, që ndryshe njihet edhe si kryeqyteti kulturor i shqiptarëve, është qyteti i dytë më i madh i Kosovës pas Prishtinës dhe fitorja në këtë qytet shihet si përparësi nga partitë politike.
Facebook Forum