Lidhje

Senatori demokrat bllokon agjendën e Presidentit Biden për klimën


Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga fillimi i Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, një pjesë jetike e axhendës së Presidentit Biden për klimën rrezikon të dështojë në Senatin amerikan, si rezultat i kundërshtimit nga një ligjvënës i partisë së presidentit.

Senatori Joe Manchin, demokrat, i cili përfaqëson shtetin e Virxhinias Perëndimore, ka thënë se nuk do të mbështesë dispozitat më të rëndësishme për energjinë e pastër në paketën e administratës së Presidentit Biden për infrastrukturën dhe të shpenzimet sociale.

Për shkak se demokratët kanë vetëm 50 vende në senatin prej 100 anëtarësh dhe nuk presin asnjë votë nga republikanët, Senatori Manchini mund ta minojë të gjithë projekt-ligjin duke mos votuar në mbështetje të tij.

Javën e kaluar, ai tha se do të bënte pikërisht këtë gjë nëse Programi i Efektshmërisë për Energjinë e Pastër, shkurtimisht CEPP, që konsiderohet si bërthama e planit të Presidentit Biden për klimën, do të ishte pjesë e projekt-ligjit. Programi CEPP do të shpërblente prodhuesit e energjisë elektrike që fillojnë tranzicionin tek energjia e rinovueshme me një normë prej 4% në vit ose më shumë, dhe do të penalizonte ata që nuk e bëjnë këtë.

Ekonomia e shtetit që përfaqëson Senatori Manchin varet në masë të madhe nga karburantet fosile, kështu që firmat e naftës dhe gazit, të minierave të qymyrit dhe kompanitë e gazsjellësve natyror kanë ndikim të madh tek politika.

Programi CEEP do ta dëmtonte rëndë industrinë e qymyrit në Virxhinian Perëndimore, sepse 90% e energjisë elektrike të prodhuar në atë shtet vjen nga centralet me qymyr.

Këtë javë, zoti Manchin-i gjithashtu hodhi poshtë një përpjekje tjetër për të përmbushur qëllimet e administratës për reduktimin e emetimeve, këtë herë duke vendosur një taksë mbi karbonin. Senatori Manchin nuk ka ofruar ndonjë alternativë që do t’i afrohej llojit të ndikimit ndaj emetimeve që kërkon administrata e Presidentit Biden.

Premtime të guximshme

Në ditën e tij të parë si president, zoti Biden njoftoi se SHBA do të kthehej tek Marrëveshja e Parisit, një marrëveshje për klimën nga e cila paraardhësi i tij, republikani Donald Trump, ishte tërhequr.

Në muajin prill, Presidenti Biden njoftoi se qëllimi i tij ishte të zvogëlonte emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serë, përgjegjëse për ndyrshimet klimatike, mes 50% dhe 52% të niveleve të vitit 2005.

Ekspertët thonë se rritja vjetore me 4% e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, siç kërkohet në programin CEPP, është thelbësore për të përmbushur synimin për reduktimin e emetimeve.

Premtimi i guximshëm kishte për qëllim të demonstronte udhëheqjen e re amerikane në përpjekjet botërore për të luftuar ndryshimet klimatike duke patur parasyshë konferencën e OKB-së për klimën muajin që vjen, që njihet shkurtimisht si COP26.

Kohët e fundit, administrata amerikane njoftoi se do të dërgonte në konferencë, e cila mbahet në Glasgow të Skocisë, 13 anëtarë të kabinetit të Presidentit Biden, duke demonstruar një nivel shumë të lartë angazhimi amerikan.

Duarbosh në COP26?

Por mosgatishmëria e Senatorit Manchin për të ndryshuar qëndrimin mbi çështjen e klimës, rrezikon që Presidenti Biden të shkojë në Glasgow duarbosh, përveç qëllimeve të mira në 10 muajt e parë në detyrë.

Ish-senatori amerikan John Kerry, i dërguari i Presidenti Biden për klimën, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se kjo do t’i shtohej dëmit të reputacionit që pësuan Shtetet e Bashkuara kur Presidenti Trump tërhoqi vendin nga Marrëveshja e Parisit.

Senatori Sheldon Whitehouse, demokrat nga shteti Rhode Island, i tha gazetës “The Guardian” se një situatë e tillë do ta bënte delegacionin amerikan të dukej "qesharak", duke shtuar se, "do të ishte keq për udhëheqjen amerikane, keq për bisedimet dhe katastrofike për klimën. Thjesht katastrofike. ”

Pretendimet e Senatorit Manchin

Senatori Manchin ka pohuar se industria energjitike po e bën vet tranzicionin tek burimet e rinovueshme, dhe se nuk ka kuptim të shpenzohen dollarët e taksapaguesve për diçka që tashmë po ndodh.

Chris Hamilton, president i Shoqatës së Qymyrit të Virxhinias Perëndimore, tha se vlerësimi i zotit Manchin për përparimet e industrisë është i saktë

“Mund t’ja arrimë nëse ... lejojmë zhvillimin dhe komercializimin e teknologjive të ndryshme të kapjes së karbonit, që më pas të përdoren në sektorët e qymyrit dhe gazit natyror”, tha zoti Hamilton. "Qëllimi ynë është të zvogëlojmë edhe gjurmën e karbonit. Nuk ka kundërshtime ndaj kësaj. ”

Por aktivistët e klimës e kundërshtojnë ashpër karakterizimin e zotit Manchin për përparimin e industrisë në zvogëlimin e emetimeve.

Pretendimet e zotit Manchin janë “dukshëm të rreme”, tha Michael O'Boyle, drejtor për politikat e energjisë elektrike në “Energy Innovation”, një qendër studimi për politikat energjitike dhe klimës në San Françisko.

“Gjatë pesë viteve të fundit, nga 2016 në 2020, Amerika shtoi rreth 1.1% të energjisë së pastër vjetore. Në vitin 2020 arritëm një rekord prej 2.3%, pra pak më shumë se gjysmën e një rritjeje prej 4%.”

Interesat personale të Senatorit Manchin

Kritikët e senatorit të Virxhinias Perëndimore gjithashtu theksojnë se zoti Manchin ka një interes të konsiderueshëm financiar personal në industrinë e qymyrit. Ai zotëron midis 1 milion dhe 5 milionë dollarë aksione tek kompania “Enersystems Inc.”, firmë komerciale qymyri e themeluar nga ai dhe që tani drejtohet nga djali i tij. Gjatë dekadës së fundit ai është paguar afro 5 milionë dollarë nga kompania.

Lidhur me këtë konflikt të dukshëm interesi, Senatori Manchin ka vite që thotë se pasuritë e tij mbahen në një trust, që ai nuk e kontrollon. Sidoqoftë, dokumentet financiare që ai duhet t’i vërë në dispozicion të Senatit flasin për firmën Enersystems.

Zoti Manchin gjithashtu merr donacione të mëdha për fushatat politike nga industria e karburanteve fosile në përgjithësi, më shumë se 250,000 dollarë deri tani për zgjedhjet e vitit 2022.

Një industri që po vdes

Industria e minierave të qymyrit, që zoti Manchin synon ta mbrojë, është zbehur për dekada me radhë, ndërsa bie kërkesa për qymyr në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2020, Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë gjeti se industria e qymyrit në Virxhininë Perëndimore, duke përfshirë “të gjithë punonjësit e angazhuar në prodhim, përgatitje, përpunim, zhvillim, mirëmbajtje, riparim ose në operacionet e minierave, përfshirë punonjësit e zyrave”, punësonte 11,418 persona, ose rreth 1.4% të fuqisë punëtore të atij shteti.

Numrat u ulën pak në vitin 2020 për shkak të pandemisë dhe ka të ngjarë të rriten kur të dalin shifrat e vitit 2021, por tendenca afatgjatë është mjaft e qartë. Që nga fillimi i viteve 1950, kur më shumë se 125,000 burra nxirrnin qymyr me kazma dhe lopata në Virxhinian Perëndimore, përparimet teknologjike pakësuan numrin e punonjësve në këtë industri.

Gjatë viteve 1990 kishte më pak se 40,000 njerëz të punësuar në industrinë e qymyrit në atë shtet, dhe shifrat kanë vazhduar të ulen.

Duke shtuar edhe rënien e kërkesës për qymyr, ndërsa kompanitë energjitike kaluan tek karburantet më të pastra, përfshirë gazin natyror, peisazhi i një industrie në vdekje bëhet më i plotë.

Pasi arriti kulmin në 158 milionë ton në vitin 2008, prodhimi i qymyrit të Virxhinias Perëndimore ka rënë ndjeshëm, në më pak se 100 milionë ton gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG