Lidhje

Irani gati të rifillojë bisedimet bërthamore. Ekspertët: Teherani ka nevojë për marrëveshje


Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë Iranin, ndërsa ekonomia e vendit po përballet me sanksione ndërkombëtare për programin bërthamor.

Irani gati të rifillojë bisedimet bërthamore. Ekspertët: Teherani ka nevojë për marrëveshje
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Në javët e fundit, udhëheqësit e Iranit kanë qenë nën presion në rritje nga Rusia dhe Bashkimi Evropian për t’u kthyer në bisedimet shumëpalëshe në Vjenë për marrëveshjen bërthamore. Irani ka njoftuar se do të kthehet në bisedime deri në fund të nëntorit. Nga Uashingtoni pati një reagim nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Angazhimi ynë mbetet ndjekja e një rruge diplomatike. Është në dorë të negociatorëve të përcaktojnë se kur do të jetë raundi tjetër i diskutimeve. Qëllimi jonë vazhdon të jetë arritja e një marrëveshjeje. Ne do t’ua lëmë evropianëve dhe negociatorëve tanë që të përcaktojnë se kur do të jetë hapi tjetër”, tha ajo.

Por një eksperte nga “Këshilli Atlantik” thotë se nuk duhen pritur rezultate të shpejta.

“Ne ende nuk e dimë nëse ata janë të gatshëm të ulen në një dhomë me amerikanët, apo nëse do të jetë sërish një lojë telefonike si më parë. Por do të ketë shumë pakënaqësi. Shpresoj në fund, që edhe kjo qeveri në Iran, e cila është një qeveri e linjës së ashpër, do të pranojë të angazhohet në negociata serioze”, thotë ekspertja Barbara Slavin.

Ministri i ri i Jashtëm i Iranit tha këtë javë se presidenti i SHBA, Joe Biden duhet të tregojë fillimisht “një gjest vullneti të mire” nëse Uashingtoni dëshiron që bisedimet bërthamore të rifillojnë.

Analisti Alex Vatanka nga Instituti për Lindjen e Mesme i tha Zërit të Amerikës se Teherani kërkon lehtësim të sanksioneve.

“Ata nuk duan lehtësim të sanksioneve në letër, ata duan lehtësimin e sanksioneve në realitet. Ata në fakt duan të shohin miliarda dollarët që janë ngrirë në bankat e huaja të kthehen në Iran. Pra, ka disa gjëra konkrete që mund të bëhen në afat të shkurtër. Ata kërkojnë që SHBA të lejojë transferimin e parave iraniane nga bankat anembanë botës në Iran dhe më pas të lejohet që nafta iraniane të eksportohet…", tha ai.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump, në mënyrë të njëanshme tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin në maj të vitit 2018.

Shumica e ligjvënësve republikanë ende besojnë se marrëveshja bërthamore e Iranit ishte një gabim dhe se SHBA nuk duhet t’i besojnë Teheranit. Ky është një tjetër shqetësim për Iranin, thotë eksperti Trita Parsi nga Instituti “Quincy”.

“Një nga problemet kryesore nga pala iraniane është se ata janë shumë të shqetësuar që angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj marrëveshjes varet nga ajo se cila parti po drejton vendin. Eshtë mjaft destabilizuese për ta nëse Shtetet e Bashkuara kthehen në marrëveshje, sanksionet hiqen, ekonomia përshtatet me kushtet e reja, por më pas të gjitha këto rrëzohen kur drejtimin e SHBA mund ta marrë një president republikan”

Shumica e ekspertëve pajtohen se Teherani ka nevojë të dëshpëruar që marrëveshja bërthamore të riaktivizohet plotësisht, në mënyrë që të mund të bëjnë sërish tregti me botën dhe investitorët të rifitojnë përfundimisht besimin për t'u kthyer në vend.

XS
SM
MD
LG