I larguar 31 vite më parë drejt Shteteve të Bashkuara, pas përndjekjes nga regjimi komunist i kohës, për shkak të botimit të poezisë protestë “Kuajt”, poeti, kritiku letrar, publicisti, përkthyesi, pedagog i Universitetit të Richland-it, në Dallas, Gjekë Marinaj, thotë se, me ardhjen e demokracisë, jeta në Shqipëri ka ndryshuar. Marinaj vizitoi këto ditë Shqipërinë, vendlindjen e tij Malësinë e Madhe dhe shkollën, ku mori mësimet e para, në Brazhdë të Kastratit. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, poeti Marinaj tha se jeta në Shqipëri ka ndryshuar.
“Kam ardhur këtu për një vizitë shumë të shkurtër dhe nuk e njoh mirë situatën, ashtu siç duhet, por, nga ato që shikoj, domethënë nga ana kozmetike e jetës, ndryshimi është shumë i madh me atë që ka pasur atë kohë. Njerëzit kanë ndryshuar, janë civilizuar më shumë, mundësitë e shkollimit janë bërë më të mëdha dhe mendoj se, me ardhjen e demokracisë, jeta ka ndryshuar në mënyrë demokratike, që do të thotë se njerëzit mund të jetojnë sipas mënyrës së tyre. Mund të jenë qytetarë. Sepse, që të jesh qytetar, nuk do të thotë që jesh nga qyteti, por të jesh i qytetëruar. Dhe unë shof qytetërim ngado që shkoj. Dhe kjo më kënaq”.
Autor i 22 librave në shqip dhe anglisht, Gjekë Marinaj ka qenë i ftuar në shumë vende, ku ka marrë mjaft çmime letrare, përfshirë edhe çmimin ndërkombëtar për kontributin jetësor dhe etikën kulturore në letërsi, marrë vitin e kaluar në Korenë e Jugut.
Nëse të gjithë, thotë poeti, shikojmë dhe komentojmë gjërat pozitive, atëherë ne krijojmë një atmosferë që na ndihmon për të arritur gjëra të mira. Kjo e ka shtyrë poetin Gjekë Marinaj të themelojë teorinë e protonizmit.
“Mendoj se protestat kanë vendin e tyre, por duhet të jenë të kufizuara, sepse njeriu duhet t’a shoh botën nga ana pozitive. Në atë kohë nuk ka patur shumë vend për pozitivitet, ndaj krijova edhe protonizmin, që t’i jepet një mundësi njerëzve që t’i shikojnë gjërat nga këndvështrimi pozitiv, nga këndvështrimi i të mirës, i të bukurës. Sepse jeta është një nocion shumë i çuditshëm, varet se si i sheh gjërat, si i gjykon gjërat”.
Njohës i mirë i letërsisë shqipe, të së kaluarës dhe të sotmes, Gjekë Marinaj thotë se ka ndryshime thelbësore mes poezisë së para vitit 1990 dhe poezisë së 30 viteve të fundit. Sipas tij, para vitit 1990 poezia ishte në modë, sepse i jepte shumë krijuesit.
“Duke qenë një poet i mirë, ishte edhe një avantazh i mirë. Kurse sot kanë ndryshuar gjërat, është krejt e kundërta. Është çfarë do të bëjë poeti për poezinë. Sepse poezia nuk mund të bëjë shumë më për poetin. Dhe është çfarë bën poeti për poezinë. Ky është ndryshimi më i madh. Kështu që, unë mendoj se, sot poetët nuk po bëjnë për poezinë aq sa duhet”.
Megjithatë, thotë zoti Marinaj, edhe në Shqipëri ka poetë që janë europianë, që kanë fuqi poetike, mendim, filozofi, ndjenjë dhe teknikë për vargun. Dhe, kur këto cilësi bëhen bashkë, do të thotë që poeti është i sukseshëm.
Në të gjithë botën, thotë poeti Gjekë Marinaj, krijuesit janë të njëjtë, vetëm subjektet ndryshojnë. Kështu ndodh edhe me krijuesit shqiptarë të diasporës.
“Krijuesit në diasporë janë poetë si gjithë të tjerët, kudo që jetojnë, por që subjektet e tyre ndryshojnë sepse jeta, kontakti me jetën që kanë është i ndryshëm. Megjithëse kanë dashurinë për vendlindjen, kanë mendimet e përherëshme që lidhen me vendin nga vijnë, prapseprap jeta e përditshme i ballafaqon ata me frymëzime të reja, me njerëz të rinj, me situata të reja. Dhe këto e ngacmojnë poetin. Kështu që, domosdo, detyrohet të jetë subjekt i subjekteve të tij.”
Poeti shqiptaro-amerikan Gjekë Marinaj është vlerësuar vitet e fundit edhe në Shqipëri. Ai është shpallur “Ambasador i Kombit” nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, “Qytetar Nderi” nga vendlindja e tij, Malësia e Madhe. Gjithashtu, ai është edhe fitues i çmimit letrar “Pjetër Arbnori”.
Facebook Forum