Lidhje

Jep dorëheqjen kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dha dorëheqjen të dielën pasi partia e tij humbi në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal. Ai shpalli edhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate.

"Unë marr përgjegjësinë për këto zhvillime dhe jap dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe kryetarit të partisë," tha zoti Zaev, socialdemokratët e të cilit drejtojnë koalicionin qeverisës.

Partia e tij pësoi humbje në komunat e Shkupit, Kumanovës, Manastirit, Ohrit dhe në një sërë komunash të tjera përballë VMRO-DPMNE-së në opozitë. Zoti Zaev uroi kundërshtarët politik për fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Mbetem me besimin e vjetër se nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj për një periudhë sa të jetë e nevojshme, për të organizuar qeverinë e re me një shumicë përparimtare që ka e që mund edhe të zgjerohet”, u shpreh zoti Zaev.

Ai tha se është krenar me arritjet e vendit, siç është anëtarësimi në NATO dhe regjistrimin e popullsisë që u mbajt para pak javësh. Ai u shpreh i dëshpëruar nga ana tjetër, për faktin se siç tha, “shumica zgjodhi ata të cilët vetëm para katër vitesh u futën në parlament për të vrarë njerëz. U barazuan viktimat me dhunuesit. Unë solla lirinë dhe demokracinë, ndërsa demokracia nënkupton përgjegjësinë”, u shpreh zoti Zaev.

VMRO-DPMNE, kërkoi menjëherë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Vitin e kaluar, në zgjedhjet parlamentare, një aleancë e udhëhequr nga socialdemokratët e zotit Zaev shënoi një fitore të ngushtë përballë VMRO-DPMNE-së.

Zoti Zaev, udhëhoqi qeverinë që nga viti 2017 dhe e vuri vendin në rrugën e integrimeve evropiane, duke rënë dakord edhe për të ndryshuar emrin e vendit, gjë që i dha fund një mosmarrëveshje me Greqinë, e cila e shihte emrin Maqedoni si një pretendim për provincën e saj me të njëjtin emër dhe kishte bllokuar anëtarësimin e fqinjit të saj në BE dhe NATO.

Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s vitin e kaluar, por ende nuk ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve

Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Lidhja Social Demokrate në pushtet ka pësuar humbje të thellë përballë VMRO-DPMNE-së në opozitë, jo vetëm në qytetet kryesore por edhe nëpër komuna më të vogla. Ndonëse rezultatet përfundimtare priten të hënën pasdite, tanimë është e qartë se VMRO-DPMNE ka fituar në 21 komuna në balotazh.

Garën në Shkup e ka fituar Danella Arsovska, e deklaruar si kandidate e pavarur, por e mbështetur nga VMRO-DPMNE-ja dhe partitë shqiptare të opozitës. Kundër-kandidati i saj social-demokrat, Petre Shilegov, i cili e drejtoi kryeqytetin në katër vitet e fundit, e pranoi humbjen dhe i uroi suksese zonjës Arsovska.

VMRO-ja ka fituar në Ohër, në Manastir dhe në një numër komunash të tjera. Ajo fitoi 23 komuna në raundin e parë; LSDM-ja 9 dhe BDI-ja 3 komuna.

Në kampin politik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në më shumë komuna por ka humbur atë kryesoren, Tetovën, ku Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, fitoi përballë kryetares së deritashme Teuta Arifi, të Bashkimit Demokratik për Integrim. Zonja Arifi pranoi humbjen dhe duke folur nga selia e BDI-se i uroi sukses rivalit të saj politik, Kasami dhe ekipit të tij. Teuta Arifi, e cila e drejtoi komunën për dy mandate nga katër vjet, tha se Tetova është një qytet me shumë sfida dhe se e pranon vendimin e votuesve.

Megjithatë, BDI-ja e konsideron veten si fituese absolute të këtyre zgjedhjeve. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti një orë pas mbylljes së qendrave të votimit tha se BDI-ja ka fituar në Strugë, në Kërçovë, në Çair të Shkupit dhe në disa komuna rurale si Haraçina e të tjera, teksa shtoi se ende nuk dihej rezultati në Gostivar.

Por, KSHZ-ja e nxori fituese Aleancën për Shqiptarët (të opozitës) me kandidatin e saj Arben Taravari, i cili rezulton të ketë një epërsi prej rreth 5 mijë votash ndaj rivalit të tij, Nevzat Bejta të BDI-së. Shtabi i zotit Taravari festoi në sheshin e qytetit.

Festë ka organizuar edhe shtabi i BDI-së në Çair, ku shpalli fitoren e Visar Ganiut ndaj kundër-kandidatit Bekim Sali të Alternativës. Ky do të jetë mandati i dytë për zotin Ganiu.

Në Kërçovë Fatmir Dehari i BDI-së ka korrur fitore ndaj Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së. Në këtë qytet ku me përqindje mbizotëron popullata shqiptare, votoi edhe një numër i konsiderueshëm i mërgimtarëve nga Evropa, ndërsa pas raundit të parë dukej të ishte krijuar një përçarje tek elektorati shqiptar.

Në Dibër (të Madhe) në një qendër votimi u përsërit raundi i parë për shkak të parregullsive të konstatuara atje. Në këtë qytet u përballën Bekim Pocesta i Aleancës për Shqiptarët dhe Hekuran Duka i BDI-së. Këta dy do të përballen në balotazh pas dy javësh.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare shpalli fitore në komunën e vetme, atë të Studeniçanit pranë Shkupit, ku Azem Sadiku ka fituar edhe një mandat.

Ndërkohë, në Kumanovë pati po ashtu një situatë befasuese. LSDM-ja humbi përballë ndërsa kandidatit të pavarur Maksim Dimitrievski, (ish-zyrtar i LSDM-së) i cili shpalli fitoren.

Gara e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale u zhvillua në 44 komuna nga 81 sa janë gjithsej. Në balotazh ishin 1.355,990 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote. KSHZ e cilësoi procesin si të qetë përgjatë të cilit tha se janë regjistruar disa probleme të natyrës teknike.

Zgjedhjet lokale në këtë vend prej vitesh janë politizuar dhe partitë politike i përdorin ato për të matur forcat dhe si barometër për zgjedhjet e përgjithshme.

Procesi u ndoq nga 23 vëzhgues të Misionit të ODIHR-it, nga 13 shtete të ndryshme, disa dhjetëra përfaqësues diplomatikë dhe nga vëzhgues të vendit.

XS
SM
MD
LG