Lidhje

Gara e ngushtë për guvernatorin e Virxhinias


Demokrati Terry McAuliffe dhe republikani Glenn Youngkin po bëjnë fushatë në të njëjtat zona, ndër më konkurrueset në shtetin e Virxhinias, duke u përpjekur të sigurojnë mbështetje të minutës së fundit në garën për guvernator të këtij shteti, që ka tërhequr vëmendje kombëtare, pasi po shihet si një referendum për presidencën e Joe Biden-it.

Zoti McAuliffe ka shërbyer si guvernator i Virxhinias nga viti 2014 në 2018. Sondazhet e fundit tregojnë se republikani Youngkin kryeson në garë. Republikanët janë optimistë për shanset e tyre në këtë shtet, ku ata nuk kanë fituar garën pëpr guvernatorin që nga viti 2009 dhe ku presidenti Biden fitoi lehtësisht vetëm vitin e kaluar.

Ndërkohë, guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, një demokrat, po përpiqet të sigurojë rizgjedhjen kundër ish-anëtarit republikan të Asamblesë së Shtetit, Jack Ciattarelli.

Zyrat e kryebashkiakëve në shumë prej qyteteve më të mëdha të vendit do të përcaktohen nga këto zgjedhje. Një pyetje e përfshirë në fletëvotimet në Mineapolis mund të ristrukturojë policinë në atë komunitet, ku vrasja e George Floyd-it vitin e kaluar shkaktoi demonstrata për drejtësi racore në të gjithë vendin.

Por ajo që ndodh në Virxhinia - një shtet dikur me prirje republikane, që është bërë demokrat katër vitet e fundit – duket se do të ketë pasoja, që mund të tronditin të dyja palët.

Një fitore e zotit McAuliffe mund të sigurojë demokratët për zgjedhjet për në Kongres vitin e ardhshëm. Një fitore nga zoti Youngkin megjithatë, do t'i lejonte republikanët të thonë se kanë siguruar momentin politik dhe do të vazhdojnë ta mbajnë atë deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm

Vlerësimet për miratimin e punës së presidentit Bidenit kanë rënë javët e fundit. Dhe Kongresi i kontrolluar nga demokratët nuk ka miratuar ende një projekt-ligj madhor për shpenzime publike apo një paketë shpenzimesh gjithëpërfshirëse që do të rriste në mënyrë dramatike mbështetjen e qeverisë për rrjetin e sigurisë sociale.

McAuliffe ka sjellë në fushatë figura të profilit të lartë, përfshirë Presidentin Joe Biden, ish-Presidentin Barack Obama dhe muzikantët e famshëm Pharrell Williams dhe Dave Matthews ditët e fundit.

Youngkin, ndërkohë, ka shmangur pothuajse të gjitha vizitat e figurave publike nga aleatët e njohur të partisë, të cilët zakonisht dynden në një garë të nxehtë.

Kjo përfshin ish-Presidentin Donald Trump, i cili po mban një tele-miting për Youngkin të hënën. Youngkin ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Youngkin e përqafoi hapur Trumpin gjatë zgjedhjeve paraprake republikane, por që kur u bë kandidat për postin e guvernatorit, ka ndjekur një vijë më të balancuar, ndërsa përpiqet të tërheqë votuesit e moderuar.

Votimi i hershëm në Virxhinia, i cili është zgjeruar në mënyrë dramatike gjatë dy viteve të fundit të kontrollit demokrat të qeverisë së shtetit, përfundoi këtë fundjavë. Ligji i miratuar në 2020 lejon çdo votues të kualifikuar të votojë duke filluar 45 ditë para zgjedhjeve.

Më shumë se 1.1 milionë nga rreth 5.9 milionë votues të regjistruar të shtetit kanë votuar tashmë. Kjo shifër është dukshëm më e ulët nga ajo prej 2.8 milionë votash të parakohshme në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, por shënon një rritje dramatike krahasuar me vetëm rreth 195,000 vota të parakohshme gjatë zgjedhjeve të fundit për guvernator, përpara se të fillonin reformat e votimit.

XS
SM
MD
LG