Lidhje

Konferencë ndërkombëtare mbi Libinë, para zgjedhjeve vendimtare për fatin e vendit të trazuar


Në Francë po zhvillohet sot një konferencë ndërkombëtare lidhur me Libinë, ndërsa ky vend i Afrikës së Veriut po shkon drejt zgjedhjeve që pritet të mbahen muajin e ardhshëm. Fuqitë rajonale e botërore shpresojnë që procesi ta nxjerrë vendin e pasur me naftë, nga kaosi dhjetëvjeçar.

Në konferencën që po mbahet në Paris merr pjesë edhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris si dhe udhëheqës të tjerë botërorë të cilët pritet të nxisin zhvillimin e zgjedhjeve transparente e të besueshme në Libi. Ata gjithashtu do të kërkojnë tërheqjen e trupave mercenare dhe forcave të huaja nga Libia, ashtu sikurse thuhet në marrëveshjen për armëpushim të vitit të kaluar, të ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila i dha fund luftimeve mes fraksioneve rivale në vend.

Libia është përfshirë nga kaosi që nga një kryengritje e mbështetur nga NATO në vitin 2011, që u bë shkak për rrëzimin nga pushteti shumë vjeçar të diktatorit Moammar Gadafi, i cili më vonë do të vritej.

Vendi i pasur me naftë ishte për vite i ndarë mes qeverive rivale, njëra me qendër në kryeqytetin e vendit Tripoli dhe tjetra në pjesën lindore të vendit. Secila palë mbështetej nga fuqi të ndryshme të huaja dhe grupe milicish.

Konferenca e së premtes bashkëkryesohet nga Franca, Gjermania, Italia, Libia dhe Kombet e Bashkuara. Në të marrin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë ndërkombëtar e rajonal.

Pjesëmarrësit në konferencë pritet të nxisin rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor rezultatet e të cilit të jenë të pranueshme si dhe një angazhim të përbashkët për të luftuar trafikun e qënieve njerëzve e të armëve përmes Libisë. Ata gjithashtu pritet të mbështesin përpjekjet me rezultate të prekshme për tërheqjen e trupave mercenarë dhe atyre të huaja, siç thanë përfaqësues të zyrës së Presidentit francez Emmanuel Macron.

Nënpresidentja Harris tha se do të marrë pjesë në konferencë për të dëshmuar mbështetjen e fortë të SHBA-së për popullin e Libisë.

XS
SM
MD
LG