Lidhje

Burgosja e gazetarëve në Bjellorusi po përdoret si një mjet censure


Katerina Bakhvalovaright
Katerina Bakhvalovaright

Gazetarja Glafira Zhuk e gazetës “Narodnaya Volya”,u largua nga vendi i saj, Bjellorusia muajin e kaluar, pasi kaloi 30 ditë në burg për raportimet e saj në fillim të këtij viti.

“U largova sepse dua të jem gazetare dhe dua të shkruaj për vendin tim”, tha Zhuk për Zërin e Amerikës nga Kievi. “E kuptova se nuk mund ta bëja punën time në Bjellorusi, sepse mund të arrestohem menjëherë.”

Glafira Zhuk
Glafira Zhuk

Gazetarja Zhuk kaloi 30 ditë në burg në maj për raportimet mbi një çështje gjyqësore që përfshinte aktivistë studentorë. Më vonë ajo u përjashtua nga fakulteti i gazetarisë në universitetin shtetëror për shkak të mungesave gjatë orëve të provimit, të cilat u zhvilluan në kohën ku ajo ishte në burg.

Ajo është një nga qindra gazetarët e arrestuar në Bjellorusi që nga rizgjedhja e debatueshme e Presidentit Alexander Lukashenko në gusht të vitit 2020. Gazetarët që punojnë për Agjencinë Amerikane për Median Globale, e cila mbikëqyr Zërin e Amerikës, janë mes të prekurve.

Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve (BAJ), anëtare e së cilës është edhe gazetarja Zhuk, njoftoi se vetëm në vitin 2020, ka patur 480 ndalime të gazetarëve. Shoqata joqeveritare e medias vazhdon të gjurmojë rastet pavarësisht se Gjykata e Lartë e vendit mori vendim për shpërbërjen e saj në gusht të vitit 2021.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), shtypja e medias ka qenë një dukuri e pandarë gjatë presidencës 26-vjeçare të Lukashenkos. Por ajo u intensifikua në 18 muajt e fundit.

"Bjellorusia nuk ka qenë kurrë e lirë", i tha Zërit të Amerikës Gulnoza Said, koordinatore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Është e jashtëzakonshme që gazetarët bjellorusë arritën të zhvillojnë median dhe të vazhdojnë të raportojnë pavarësisht kufizimeve në shkallë të gjërë të zbatuara nga autoritetet në vend.”

Është e zakonshme që gazetarët në Bjellorusi të ndalohen për periudha të shkurtra kohore, disa ditë ose disa orë, për t'i penguar ata të raportojnë për projekte specifike, thotë zonja Said. Por pas zgjedhjeve të fundit, gazetarët janë përballur me dënime më të gjata me burg.

Katsiaryna Andreyeva
Katsiaryna Andreyeva

Për shembull, dy gazetare të kanalit Belsat TV, Katsiaryna Andreyeva dhe Daria Chultsova, të hënën morën dënime me një vit burg. Ato u arrestuan teksa po mbulonin “Marshimin e Guximtarëve”, një protestë në Minsk e nxitur nga vdekja e një aktivisti anti-qeveritar.

Në mënyrë të ngjashme, gazetarja e pavarur Ksenia Lutskina ka qenë në burg për 11 muaj. Ajo u arrestua së bashku me pesë anëtarë të Klubit të Gazetarëve Bjellorus nën akuzat për evazion fiskal.

Situata e gazetares Ksenia Lutskina është veçanërisht shqetësuese sepse ajo ka një tumor në tru për të cilin nuk po merr trajtim mjekësor, tha zonja Said.

“Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e rëndë të shumë gazetarëve të burgosur sepse kemi dëgjuar se ata janë infektuar me Covid-19 në burg ose kanë pësuar infarkt në burg, nuk vizitohen nga mjekët dhe nuk marrin ilaçet që u nevojiten”, tha ajo për Zërin e Amerikës. "Ndonjëherë ata janë në një qeli burgu me 12 ose 15 persona të tjerë, në mesin e të cilëva ka të sëmurë".

Gazetarja Zhuk ka përshkruar më parë se si ajo u mbajt në një qeli të mbushur me njerëz, pa çarçafë dhe nuk u lejua të lahej gjatë kohës së paraburgimit të saj 30-ditor.

Ambasada e Bjellorusisë në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Letrat nga burgu

Për të rritur ndërgjegjësimin për qindra të burgosur politikë, përfshirë gazetarë, në Bjellorusi, katër organizata të të drejtave të njeriut krijuan projektin "Letra nga të burgosurit e Lukashenkës".

Projekti online, i organizuar nga organizatat Indeksi i Censurës, Teatri i Lirë Bjellorus, Fondacioni Shtëpia e të Drejtave të Njeriut dhe Politzek.me, publikon letra nga të burgosurit në Bjellorusi. Një letër nga gazetarja Andreyeva ishte ndër të parat.

“Ne me të vërtetë donim që të burgosurit politikë të përfaqësonin më shumë se sa thjeshtë një shifër. Ne donim që ata të kishin një zë,” tha për Zërin e Amerikës Jessica Ní Mhainín, menaxhere e politikave dhe fushatave në organizatën Indeksi i Censurës.

"Ne donim të tregonim anën njerëzore të krizës, vuajtjet e panevojshme dhe faktin se ata janë duke u shënjestruar për atë që ne e marrim si të mirëqenë: për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar, dhe lirinë e tubimit", tha ajo.

Mbledhja e letrave nuk ka qenë e lehtë, tha zonja Ní Mhainín, pasi censura në vend ka qenë kaq e fortë.

Zonja Said përballet me një sfidë të ngjashme në mbledhjen e informacionit për gazetarët e burgosur në Bjellorusi. Avokatët që mbrojnë gazetarët në Bjellorusi detyrohen të nënshkruajnë marrëveshje që i pengojnë ata të ndajnë informacionet me mediat dhe të tjerët, madje edhe me familjarët e atyre që janë në burg.

“Autoritetet u morën liçencat avokatëve që u përpoqën të kundërshtonin këtë politikë,” tha Said për Zërin e Amerikës.

Arrestimi i gazetarëve, dënimet e gjata me burg, mbyllja e mediave dhe portaleve të pavarura të lajmeve janë vetëm disa nga taktikat e përdorura nga autoritetet e kontrolluara nga Lukashenko, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Zonja Zhuk ëndërron që një ditë të kthehet në Bjellorusi, diçka që ajo beson se nuk është e mundur për sa kohë që Lukashenko është në pushtet.

“Unë e di që vendi im nuk është i lirë sepse Lukashenko i krijoi këto kushte”, tha gazetarja Zhuk për Zërin e Amerikës. “Është vërtet e vështirë të jetosh në këto kushte dhe të kuptosh se nuk mund të jesh i lirë dhe i sigurt.”

Por ajo shpreson se situata do të ndryshojë.

"Nuk kam blerë asgjë në Kiev sepse shpresoj që një ditë do të kthehem në vendin tim me bagazhin tim të vogël në banesën time dhe do të jetoj atje", tha gazetarja Zhuk.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG