Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po vazhdon vizitën e tij në Kosovë për të dytën ditë me radhë. Vizita e tij ndodhë në prag të 28 nëntorit ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që kremtohet edhe në Kosovë si ditë e flamurit kombëtar shqiptar.
Përgjatë takimeve me udhëheqës institucionesh e partish politike, u theksua nevoja e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, përmes zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës pritet të mbajnë të premtën mbledhje të përbashkët në qytetin e Elbasanit gjatë së cilës është parashikuar të bëhet edhe nënshkrimi i një varg marrëveshjesh.
Autoritetet në Kosovë theksuan po ashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal por siç u tha mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca nëpërmjet një komunikate citohet të ketë thënë se për Kosovën janë të papranueshme nismat e Serbisë, si nisma për "Ballkanin e Hapur", që synojnë të anashkalojnë procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe procesin integrues në Bashkimin Evropian.
Edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta tha gjatë viiztës në Kosovë se ka shumë rezerva ndaj nismës Ballkani i Hapur.
“Rezerva e parë që e kam për këtë nismë është parimore; nuk mund të ofrohet përmes gjuhës imponuese, përmes politikës përjashtuese, përmes faktit të kryer, sepse bashkëpunimi i qëndrueshëm është vet ajo baza e reciprocitetit dhe barazisë të të gjitha palëve. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë dhe ato kurrë nuk kanë të bëjnë me përjashtimin me faktin e kryer apo me përpjekje të lidershipit të çdo vendi në këtë rajon”, tha ai.
Presidenti Meta tha se rezerva tjetër e tij ka të bëjë me shqetësimin për “rivalizmin e procesit të Berlinit, i cili është gjithëpërfshirës, përkundër Ballkanit të Hapur që e copëzon bashkëpunimin vetëm me tre vende dhe e zhvendos nga ombrella evropiane".
Nismës Ballkani i Hapur, e hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, që synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi. Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha një ditë më parë se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses pa përfshirjen e të gjitha vendeve të rajonit.
Gjatë një debati në parlamentin serb të mërkurën mbi këtë nismë, ai tha se në nismat rajonale duhet barazi dhe të mos ketë diskriminim mbi baza etnike dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet evropiane.
Facebook Forum