Lidhje

Maqedoni e Veriut: Alternativa do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar


Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri dhe kryetari në largim i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev dhe kryetari i partisë Alternativa Afrim Gashi zyrtarizuan të dielën hyrjen e Alternativës në koalicionin qeveritar. Partia shqiptare do të marrë tre poste ministrash dhe po aq zëvendës ministrash.

“Kemi siguruar shumicën për një qeveri të qëndrueshme dhe për vendime serioze që do t’i mbajnë të qëndrueshme sistemin shëndetësor dhe atë energjetik”, tha zoti Zaev në një konferencë të përbashkët shtypi.

Ai tha se Alternativa do të ketë postet e Ministrave të Shëndetësisë, të Shoqërisë Informatike dhe Administratës publike dhe një ministër pa portofol, ngarkuar me çështjen e diasporës.Zoti Zaev bëri të ditur se qeveria do të shtojë disa ministri pa portofol “me qëllim të përballjes me sfidat e brendshme dhe globale”, siç u shpreh ai. Nga Alternativa do të emërohen edhe tre zëvendës-ministra, në Ministritë e Arsimit dhe Shkencës, dhe atë të Kulturës dhe një i tretë që nuk është vendosur ende.

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi tha se në bazë të marrëveshjes për për koalicionin qeverisës, qeveria do t’i drejtohet Komisionit Evropian me kërkesë për një ekip të pavarur ekspertësh, të cilët do të kryenin hetim ndërkombëtar në proceset gjyqësore të dyshuara për ndikim politik, siç janë rastet ‘Monstra’, “Alfa’, rasti i Kumanovës dhe vrasja e një fëmije pesëvjeçar.

Partia shqiptare e mori vendimin për t’u bërë pjesë e qeverisë pas një serë bisedimesh me drejtuesin social-demokrat, ndërsa ashpërsoheshin kritikat ndaj saj jo vetëm nga opozita, por edhe në opinionin më të gjerë publik. Alternativa ka sulmuar deri dje politikat e qeverisë, duke e akuzuar për kriminalitet e korrupsion, në veçanti Bashkimin Demokratik për Integrim. Së fundmi ajo u bë pjesë e nismës për rrëzimin e qeverisë, por nuk arritën të siguroheshin 61 votat e nevojshme në parlament.

Alternativa ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët që nga zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Ajo (Alternativa) ka katër ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG