Lidhje

Kryekuzhinierja e famshme vazhdon traditën familjare për të ushqyer të pastrehët gjatë festave


Kryekuzhinierja e famshme vazhdon traditën familjare për të ushqyer të pastrehët gjatë festave
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00

Kryekuzhinierja e famshme, njëkohësisht edhe personazh i njohur televiziv Bren Harrera dhe familja e saj, e kanë kthyer tashmë në një traditë dhurimin e ushqimit falas gjatë festave. Ajo ka disa vite që së bashku me pjestarë të familjes dhe miq ushqen njerëzit në nevojë në zonën e Uashingtonit gjatë festave të fundvitit.

700 të pastrehë dhe të tjerë në nevojë në zonën e Uashingtonit morën ushqime falas në ditën e Krishtlindjes. Është viti i gjashtë radhazi që kuzhinierja e famshme Bren Herrera, së bashku me familjen e saj, organizuan aktivitetin e bamirësisë “Bren+friends” (Bren +miqtë)

“Qëllimi i aktivitetit “Bren+friends” nuk është vetëm t'i shërbejë komunitetit, por edhe të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë për ushqim, strehim, nuk kanë familje, nuk kanë miq, u mungojnë lidhjet. Duam t'u tregojmë se ne i vëmë re ata, i vlerësojmë, se nuk janë të vetmuar në ditën e Krishtlindjes dhe se ndaj tyre ka dashuri, pavarësisht rrethanave financiare apo të tjerave”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Herrera.

Zonja Herrera ishte fëmijë kur prindërit e saj filluan të gatuanin ushqime në shtëpi për personat e pastrehë në zonën e Uashingtonit në fund të viteve 1980.

Ata donin t'u tregonin fëmijëve të tyre se Krishtlindja nuk ka të bëjnë vetëm me dhurata, por edhe për të kujtuar ata që kanë nevojë për dashuri dhe kujdes.

“Kemi ardhur nga Kuba dhe e dimë se çfarë do të thotë të mos kesh ushqim të bollshëm, por të racionuar. Është e natyrshme për mua që duhet të bëj diçka për njerëzit”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Herrera.

Me kalimin e viteve, nisma e zonjës Herrera u bë gjithnjë e më ambicioze. Në vend të një parku, vullnetarët tani shërbejnë ushqime në tre vende të ndryshme dhe shpërndajnë rroba dimërore të dhuruara. Këtë vit, ata arritën të ushqejnë 100 individë më shumë se vitin e kaluar.

“Këtë veprimtari e kemi bërë gjatë gjashtë viteve të fundit dhe kemi kujtime shumë të mira. Dy tre vite më parë një grup të rinjsh që rrëshqasin me patina dolën vullnetarë dhe shërbimi ynë u bë edhe më i mirë duke krijuar mundësinë e dërgimit të ushqimeve për njerëzit që nuk ishin në parqe, sidomos gjatë periudhës së pandemisë”, thotë për Zërin e Amerikës Jonathan Hall, vëllai i kryekuzhinieres Herrera.

Menuja e këtij viti ishte e shumëllojshme që nga qoftet, mishi i pulës, tava me bishtaja dhe gjeli i detit.

“Mes të tjerash kemi gatuar dhe tavë me patate. I kemi hedhur lëng pule që të shijojë më mirë dhe pjekja në furrë i jep edhe atë ngjyrën e ëmbël që të hap oreksin”, thotë Ron Taylor i cili ka dalë vullnetar për të ndihmuar.

Ndihmësit e zonjës Herrerajanë kryesisht pjestarë të familjes dhe miq të saj, si dhe njerëz që ajo i njeh prej kohësh. Cissel Foster është një prej vullnetarëve.

“Ka disa vite që ajo u rikthye tek tradita e familjes. Kam 10 vite që e njoh Bren”.

Zonja Herrera thotë se qëllimi i saj është të krijojë një fondacion që do t'i shërbejë komuniteteve jo vetëm gjatë Krishtlindjeve, por gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG