Lidhje

Ekspertët: Ndryshimet klimatike ndihmuan në përhapjen e zjarrit në Kolorado


Ekspertët: Ndryshimet klimatike ndihmuan në përhapjen e zjarrit në Kolorado
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Një zjarr i rrallë për një sezon dimri shkaktoi dëme të mëdha në dy qytete në shtetin e Kolorados. Shkencëtarët besojnë se një prej faktorëve janë edhe ndryshimet klimatike.

Paul Bassis jeton në Louisville, një nga qytetet e shkatërruara. Shtëpia e tij në fakt i shpëtoi flakëve, por ai ka një paralajmërim pas katastrofës.

“Ndryshimi i klimës po ndodh këtu dhe tani. Ky nuk është një kërcënim për të ardhmen, me të cilin duhet të përballemi një ditë, por ka ndodhur këtu dhe po ndodh tani”, thotë Paul Bassis, banor në Louisville.

Shkencëtarja Natasha Stavros studion zjarret në Universitetin e Kolorados.

Edhe ajo beson se zjarret e fundit u ndikuan nga ndryshimet klimatike. Ashtu si pjesa më e madhe e perëndimit të SHBA-së, edhe Kolorado është përfshirë nga thatësira që u shfaq në fillim të vitit 2020.

Që nga muaji maj deri në korrik të vitit 2021 u regjistruan sasi të shumta reshjesh, duke bërë që bari (kullotat) të rritej përreth zonave urbane. Por rënia në mënyrë dramatike e sasisë së reshjeve në muajt në vazhdim, e shndëroi atë në një kërcënim.

“Jemi në një krizë. Sigurisht ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar në zbutjen e rrezikut të ngjarjeve të rrezikshme të lidhura me klimën si zjarret apo uraganet. Kjo mund të vijë duke ndryshuar mënyrën se si punojmë. Jo vetëm politikanët tanë, por edhe bizneset tona, zhvilluesit tanë, por varet gjithashtu edhe nga mënyra se si ne planifikojmë t’i ndërtojmë qytetet tona”, thotë dr. Natasha Stavros, shkencëtare për zjarret në Universitetin e Kolorados.

Të ndihmuara nga era e fortë, flakët e zjarrit që përfshinë dy qytete, Superior dhe Louisville në 30 dhjetor të vitit të kaluar, shkatërruan gati 1 mijë shtëpi dhe brenda disa orësh u përhapën në një sipërfaqe prej 6 mijë hektarësh.

Zyrtarët fillimisht thanë se shkak për zjarrin u bënë shkëndijat nga linjat e rrëzuara të energjisë elektrike pasojë e erërave të forta, por pas një inspektimi nga kompania e shërbimeve “Xcel Energy” u arrit në përfundimin se nuk ishte ky shkaku. Autoritetet po hetojnë të gjitha pistat për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi zjarrin.

XS
SM
MD
LG