Lidhje

Tokajev: Protestat në Kazakistan përpjekje për grusht shteti


Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokajev, tha të hënën se vendi i tij kishte përballuar një tentativë për grusht shteti, të koordinuar nga ajo që ai e quajti “një qendër e vetme” pas trazirave më të dhunshme që kur ish-republika sovjetike fitoi pavarësinë.

“U bë e qartë se qëllimi kryesor” i protestave të fundit “ishte minimi i rendit kushtetues dhe marrja e pushtetit”, tha ai. Presidenti Tokajev foli gjatë një samiti virtual të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake ndërqeveritare euroaziatike.

Udhëheqësi i ish-republikës sovjetike i kishte kërkuar Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin, ndihmë për të shuar demonstratat. Rusia dhe disa anëtarë të tjerë të organizatës që njihet shkurtimisht CSTO u përgjigjën duke dërguar trupa.

Udhëheqësi rus tha në samit se: “Sigurisht, ne e kuptojmë se ngjarjet në Kazakistan nuk janë përpjekja e parë dhe e fundit nga jashtë për të ndërhyrë në punët e brendshme të shteteve tona”.

Në një përpjekje për të ndalur protestat, Presidenti Tokajev dha urdhër për të qëlluar për të vrarë, duke u mundësuar forcave të sigurisë të hapin zjarr pa paralajmërim ndaj demonstruesve.

E hëna u shpall ditë zie për viktimat e trazirave. Protestat u nxitën nga rritja e çmimit të karburantit, por u ato u zgjeruan për shkak të pakënaqësive ndaj sundimit autoritar në vend.

Media shtetërore kazake njoftoi se 164 njerëz kishin vdekur në protesta, por të dielën e tërhoqën këtë numër, duke thënë se ishte gabim teknik. Zyrtarët e rendit thanë se 26 “kriminelë të armatosur” dhe 16 punonjës të sigurisë kishin humbur jetën gjatë dhunës dhe se afro 8,000 vetë ishin ndaluar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën në emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC se Kazakistani “ka aftësitë të respektojë zbatimin e ligjit, të mbrojë institucionet e shtetit, por ta bëjë këtë në një mënyrë që respekton të drejtat e protestuesve paqësorë dhe gjithashtu adreson shqetësimet që ata kanë ngritur – shqetësime ekonomike, disa shqetësime politike”.

Demonstratat bënë që Presidenti Tokajev të shkarkonte si kabinetin e tij ashtu edhe mentorin e tij, ish-Presidentin Nursultan Nazarbajev, si kreun e këshillit të sigurimit të vendit. Nazarbajev udhëhoqi Kazakistanin që nga pavarësia e këtij vendi nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990 deri në vitin 2019.

Autoritetet njoftuan gjithashtu arrestimin e Karim Masimov-it, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, nën dyshimet për tradhti të lartë. Deri para arrestimit, 56-vjeçari Masimov drejtonte komisionin përgjegjës për kundërzbulimin.

Erica Marat, profesore në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington, i tha gazetës “New York Times” se Presidenti Tokajev “ia shtiti Rusisë sovranitetin e vendit të tij për të ruajtur pushtetin dhe interesat e elitave kleptokrate”.

(Për këtë raport u përdorën të dhëna nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse)

XS
SM
MD
LG