Lidhje

Hovenier: Askush nuk duhet të harrojë ose mohojë atë që ndodhi në fshatin Reçak në vitin 1999


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, bëri thirrje të shtunën që askush të mos harrojë ose mohojë atë që ndodhi në fshatin Reçak në vitin 1999 dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët, u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Ai i bëri këto komente, në një ceremoni përkujtimore të masakrës së Reçakut në komunën e Shtimes, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, ku në ditën e sotme të vitit 1999, forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit.

Hovenier: Askush nuk duhet të harrojë ose mohojë atë që ndodhi në fshatin Reçak
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

“Në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe qëndrueshmërisë. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë që të gjithë popujt, pa dallim etnie apo besimi, meritojnë dinjitetin për të jetuar në liri dhe siguri”, tha ambasadori Hovenier, duke vënë në pah përpjekjet për të rishkruar historinë e masakrës dhe për të minimizuar faktet rreth këtyre mizorive.

“Më lejoni të jem i qartë për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj të vërtetës. Siç ka thënë presidenti (Bill) Clinton atëherë, e që e vërtetojmë sërish tani; ‘Ishte një akt i vrasjeve të qëllimshme vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës’. Mohimi i këtyre ngjarjeve dhe lartësimi i krimeve të luftës, çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon prapa në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se paqja dhe drejtësia vijnë nga pranimi i qartë i krimeve të së kaluarës.

Ai tha se pranimi i krimeve është jetik për të siguruar që krime të tilla mizore nuk ndodhin më kurrë dhe është vetëm hapi i parë për vendosjen e drejtësisë.

Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

Autoritetet serbe përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se tendencat për ta mohuar masakrën e Reçakut janë përpjekje e qartë për rehabilitimin e atyre që kanë kryer krimin.

“Por, propaganda asnjëherë nuk mund të ndryshojë faktet historike e sidomos jo një të vërtetë që ka ndodhur para syve të tërë botës. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit por edhe shpërfaqje e Serbisë së atëhershme për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut”, tha presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët dhe se sipas tij mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit.

Ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, në janar të vitit 1999 shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe. Ambasadori Walker përmes një video mesazhi u shpreh i kënaqur që tashmë ngjarja në Reçak po përkujtohet ndërkombëtarisht.

“Kjo është ajo që kam shpresuar se do të ndodhë dhe ka ndodhur. Në të kaluarën, ajo që përkujtohej më 15 janar pothuajse shmangej nga të tjerët, për shembull nga komuniteti ndërkombëtar, disa nga ambasadat që as nuk shprehnin interesim të merrnin pjesë dhe të shihnin se çfarë po ndodhte. Por, mendoj se kjo ka ndryshuar më në fund”, tha ai.

Njëzet e tri vjet pas masakrës në Reçak, Kosova po mbush katërmbëdhjetë vjet të shpalljes së pavarësisë së saj, që vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila vazhdon të mohojë atë çfarë kishte ndodhur në këtë fshat.

XS
SM
MD
LG