Kreu social-demokrat i mandatuar për formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski duke paraqitur programin e qeverisë së ardhshme të vendit theksoi para deputetëve sfidat kryesore me të cilat do të përballet ekzekutivi. Ai tha se qeveria e re ka një plan të qartë dhe të realizueshëm për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe energjetike dhe që t’i kapërcejë pasojat negative. Ai tha se që në fillim të mandatit qeveria do të përgatisë një plan për ndihmë popullatës lidhur me krizën energjetike dhe ‘tronditjen nga rritja e çmimeve’.
Një përparësi tjetër për qeverinë e re do të jetë vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8, që pa arsye është vonuar me dekada, siç tha zoti Kovaçevski, duke shtuar se “lidhja me Shqipërinë dhe Bullgarinë paraqet një detyrim strategjik dhe fokusin e qeverisë (së tij) deri në vitin 2024”.
Por, zotin Kovaçevski e presin sfida të tjera në planin e jashtëm, si zhbllokimi i procesit të integrimit evropian dhe në këtë kuadër, vazhdimi i përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjejeve me Bullgarinë fqinje lidhur me gjuhën dhe historinë e kontestuar maqedonase.
I mandatuari Kovaçevski tha para ligjvënësve se askush nuk do të bisedojë për identitetin maqedonas.
“Historia është për historianët, ndërsa çështjet identitare janë themelet e popullit dhe të shtetit”, u shpreh ai duke theksuar se “veçoritë e gjuhës maqedonase janë vërtetuar shkencërisht”.
Ndërkohë, deputetët opozitarë thanë se qeveria e cila do të drejtohet nga zoti Kovaçevski nuk është legjitime, për shkak të, siç u shprehën ligjvënës të VMRO-DPMNE-së, mosdaljes së tij në zgjedhje dhe për shkak të vazhdimësisë së politikave të zotit Zoran Zaev.
Si ligjvënësit opozitarë maqedonas ashtu edhe ata shqiptarë kritikuan kabinetin e pritshëm qeveritar për paaftësi për t’i dhënë fund korrupsionit në vend, ndërkohë që përsëritën kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare si zgjidhje e vetme, sipas tyre, për kapërcimin e krizës politike.
Por, zoti Kovaçevski tha se në asnjë mënyrë shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është zgjidhje, sepse qytetarët, sipas tij, “janë lodhur çdo vit duke dalur në votime për të vendosur mbi karrierat e 120 deputetëve dhe 20 ministrave”.
Në kabinetin e ri qeveritar do të ketë shtatë ministra të rinj; të tjerët mbeten në të njëjtat poste që kanë ushtruar deri më tani, apo bëjnë rotacione nëpër ministri të tjera. Qeveria do të ketë 21 ministri, një më tepër se sa ajo në largim. Dhe kjo bëhet pas marrëveshjes politike me partinë Alternativa, së cilës i mundësohet një ministër pa portofol e që më pas do të ngarkohet me çështjet e diasporës.
Alternativa do të ketë tre ministri; Bashkimi Demokratik për Integrim mban gjashtë ministri si më parë, dhe ministritë e tjera i takojnë Lidhjes Social Demokrate me partnerët e saj më të vegjël.
Qeveria e re do të votohet të dielën para mesnate. Shumica parlamentare ka numrat e nevojshëm prej 64 deputetësh, nga 120 që janë gjithsej.