Lidhje

Ish i burgosuri i Guantanamos: Po përjetoj një ‘burg’ të dytë


Kanë kaluar 20 vjet që kur të burgosurit e parë të luftës kundër terrorizmit mbërritën në objektin e paraburgimit ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos, në Kubë. Të paktën 800 persona janë mbajtur të ndaluar atje gjatë dy dekadave të fundit, por ndaj shumicës dërrmuese të tyre nuk është ngritur kurrë një akuzë penale. Korrespondentja e ‘Zërit të Amerikës’ Carla Babb, bisedoi me Mansoor Adayfin, një ish i burgosur i Guantanamos, që po i kushton jetën e tij misionit për mbylljen e burgut.

Ish i burgosuri i Guantanamos: Po përjetoj një ‘burg’ të dytë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:46 0:00

Kam vetëm një mesazh për zotin Biden: të lutem mbylle Guantanamon. Ai vend është një njollë në historinë amerikane, vlerat dhe politikën amerikane”, thotë Mansoor Adayfi, një ish i burgosur në Guantanamo.

Shtetasi jemenas Mansoor Adayfi thotë se shkoi në Afganistan kur ishte 18 vjeç për të hulumtuar grupet paraushtarake islamike, për llogari të një prej instituteve islamike në Jemen. Por ai nuk u kthye më.

Kur mbërrita në Afganistan, pas disa muajsh ndodhi 11 shtatori (2001). Më pas u rrëmbeva nga një prej militantëve, u shita nga njëri tek tjetri dhe më pas u shita tek amerikanët si i al-Kaedës”, thotë Adayfi.

Ai thotë se amerikanët po kërkonin një udhëheqës egjiptian të Al-Kaidës, në moshë të mesme si dhe një person të brendshëm, të lidhur me 11 shtatorin.

Mansoor Adayfi shton se pas torturave dhe marrjes në pyetje të mënyrë të përsëritur, ishte detyruar të pranonte se ishte ai personi që po kërkonin.

Ai mbushi 19 vjeç ndërsa mbahej i ndaluar në një vend të fshehtë dhe ishte një nga të burgosurit e parë që u dërgua në burgun e Gjirit të Guantanamos. Ai u hap në vitin 2002 nga Presidenti i atëhershëm George W. Bush, për të mbajtur të burgosur dhe marrë në pyetje luftëtarët që dyshoheshin se punonin për armikun.

“Ka qenë e nevojshme që këta individë të zhvendosen në një mjedis ku ata mund të mbahen të fshehur e të merren në pyetje nga ekspertët, dhe në rastet e duhura të ndiqen penalisht për akte terroriste”, tha Presidenti George W. Bush.

Mbërritëm me pranga, me sy të mbyllur me kapuç, me një kostum portokalli dhe ata na tregonin para gjithë botës si terroristët më të këqij, nga më të këqijtë që ekzistojnë. Kur mbërritëm, ata na prenë rrobat që kishim veshur, na hodhën në tokë, na lanë me zorrë me ujë e fshesë", thotë Mansoor Adayfi.

Sipas tij krahas poshtërimit, torturat nuk kishin të ndalur.

“Kur hetuesi më torturonte, më zhvishte lakuriq dhe më rrihte, i thashë: ti je terrorist. Ju jeni ata që silleni si terroristë tashmë”.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara e rrëzuan më vonë akuzën sipas së cilës ai ishte udhëheqësi egjiptian i al-Kaidës. Por kjo akuzë i kushtoi atij 14 vjet të jetës së tij, gjithë të 20-at humbën brenda hekurave të të Guantanamos.

Sot në Guantanamo janë vetëm 39 të burgosur, 12 prej të cilëve të akuzuar ose dënuar për krime lufte.

Por ata që vazhdojnë të jenë aty konsiderohen shumë të rrezikshëm, aq shumë sa as ish-Presidenti Obama dhe as Presidenti Biden, nuk kanë mundur ta mbyllin burgun, pavarësisht premtimeve për ta bërë një gjë të tillë.

Administrata mbetet e përkushtuar ndaj mbylljes së objektit të paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”, thotë John Kirby, Sekretari i Shtypit i Pentagonit.

Por aktivistët që kërkojnë mbylljen e burgut thonë se duan të shohin veprime që përputhen me këto premtime. Ata thonë se administrata duhet të nisë gjykimin e atyre që organizuan sulmet e 11 shtatorit, sikurse Khalid Sheikh Mohammad, e të mos i mbajë të tjerët për një kohë të pacaktuar.

Për viktimat e 11 shtatorit, kanë kaluar 20 vjet. A mendoni se është e drejtë për ta që të kalojnë 30 apo 40 vite të tjera, e që në fund këta djem të vdesin nga pleqëria në Guantanamo, pa u dhënë asnjëherë drejtësi mbi këtë cështje?!”, thotë Andy Worthington, Autori i Dosjeve të Guantanamos

Lufta ka mbaruar. Pra nuk ka më justifikim ligjor për t'i mbajtur ata më", thotë Thomas Wilner, avokat me firmën Shearman & Sterling

Jemeni nuk ka një qeveri funksionale, ndaj Adayfi nuk u dërgua në shtëpi. Ai tashmë jeton në Serbi, nën kufizime të rrepta sigurie, një vend që nuk donte të shkonte dhe ku thotë se vazhdon të ndihet i izoluar.

"Kur nuk keni ligjvënës, një rrjet komunikimi, kur nuk mundtë flisni me familjen, stigma e Guantanamos bën që njerëzit të kenë frikë të flasin me ju. Unë as që mund të martohem. Në thelb po përjetoj një Guantanamo të dytë", thotë ai.

Adayfi thotë se të shkruarit, e ka ndihmuar atë të përballojë traumën. Ai shpreson që libri i tij i ri, të cilin filloi ta shkruante ndërsa ndodhej në Guantanamo, do t'i ndihmojë njerëzit të kuptojnë se pse ai mendon se burgu duhet të mbyllet.

XS
SM
MD
LG