Lidhje

Shemben banesa në periferi të Tiranës


Në Shqipëri, Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit shembi sot në orët e para të mëngjesit një numër banesash në periferi të kryeqytetit, ndërsa policia largoi banorët me forcë nga ndërtesat, ku jetonin prej disa dekadash.

Banorët pohuan se bashkia po vepron me dhunë dhe në mungesë të plotë transparence, për të ndërtuar pallate shumëkatëshe.

Shemben banesa në periferi të Tiranës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

“Kam tre fëmijë dhe jemi 5 vetë në familje. Nuk e di se ku do të strehohem sonte. Na prenë dritat dhe erdhi polici e madhe përballë grave e fëmijëve”, - thotë Teuta Marku, banore e zonës, të cilës tashmë iu shemb shtëpia.

Ndërsa bashkia deklaroi se këtë program zhvillimi po e kundërshton një pakicë banorësh, ndërsa pjesa dërrmuese kanë nënshkruar marrëveshjet me pushtetin vendor.

“Ishte një dhunë e jashtëzakonshme. Prenë energjinë dhe I nxorën të gjithë me forcë nga banesat pa asnjë document, pa asnjë sqarim”, - thotë Laureta Nikolli, një tjetër banore e zonës, që e ka shtëpinë ngjitur me ato të shembura.

Disa dhjetëra banorë të lagjes periferike e njohur si Bregu i Lumit, në njësinë bashkiake nr.8 e më pas njësisë nr.4, u gjendën sot befas të pastrehë në mes të janarit, edhe pse shtëpitë i kanë ndërtuar aty 20-30 vjet më parë.

“Kam ardhur 12 vjeç këtu dhe sot jam 37 vjeç e me familje të gjerë. Askush nuk më thotë se ku të vete, ku të strehohem”, - thotë Dedë Marku.

Banorët tregojnë se ende pa dalë dielli OSHEE ndërpreu në zonën e tyre energjia elektrike dhe pas kësaj u shfaqën një numër i madh policësh bashkiakë e të rendit publik, që larguan ata me forcë dhe iu hapën rrugën fadromave.

“Të nxjerrësh njerëzit zvarrë nga banesa, jashtë në rrugë të madhe në mes të dimrit -5 gradë Celsius nuk mund të quhet ndryshe veçse dhunë e pashembullt” - thotë Gjin Nikolli, banor i zonës.

Lagja e tregut të madh, e njohur si zona 5 maji apo Bregu i Lumit është përfshirë nga bashkia në programet e rindërtimit.

Plani parashikon shembjen e banesave të parregullta dhe ndërtimin e pallateve shumëkatëshe. Pas vendimit të qeverisë në fund të shtatorit për rindërtimin dhe shpronësimin për interes publik, Bashkia e Tiranës ka nisur njoftimet në mes të tetorit, duke ofruar pagesa qeraje dhe një akt-marrëveshje me banorët për të përfituar nga programet e rindërtimit.

Por banorët dyshojnë se dokumenti është i njëanshëm pa vulë dhe pa firmë, dhe se në të

nuk shënohen afate për fillimin dhe përfundimi i punimeve, vendi dhe koha e kompensimit të pronës, shkëmbimit dhe nuk cilësohet pronësia apo përdorimi i pronës.

Banorët pohuan se kanë afro 4 muaj që protestojnë, por bashkia nuk i dëgjon kërkesat e tyre dhe ka mbajtur një qëndrim të ashpër dhe në mungesë të plotë transparence dhe informimi.

“Policia më mori me furgonat e saj mua dhe disa banorë të tjerë dhe më mbajti disa orë izoluar. Më thanë se po më mbanin për një intervistë, por dihet se ne që na morën ishim kryesorët që po protestonim” - thotë Bekim Ceri, i sapokthyer nga stacioni i policisë.

Nga ana e saj bashkia pohoi se zona është përfshirë në një projekt zhvillimi bashkëkohor, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve e mbështet atë.

Kryetari i bashkisë Erjon Veliaj, deklaroi sot për mediat se rreth 95 për qind e banorëve e kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor, ndërsa bëhet fjalë për largimin e disa banesave të paurbanizuara, të paligjshme dhe të palegalizuara, të cilat do t’i hapin territorin një programi zhvillimi, që do të modernizojë jetesën në një nga lagjet më të njohura të kryeqytetit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dënoi ndërhyrjen, sipas tij, brutale e të dhunshme, të policisë ndaj banorëve në njësinë bashkiake 8 dhe kërkoi transparencë me ta, aq më tepër që tani është dimër dhe është dhimbshme të nxirren njerëz nga shtëpitë në qiell të hapur.

Edhe Avokatja e Popullit në reagimin e saj për ngjarjen tha se banorët ishin njoftuar nga bashkia vetëm për të liruar banesat, por ata nuk ishin dakord për shembjet e shtëpive, sepse bashkia nuk u tregon informacion dhe as procedurat e strehimit të tyre.

Avokatja e Popullit deklaroi se Bashkia e kryeqytetit edhe institucionit të saj i ka dërguar një informacion të përgjithshëm, të paargumentuar dhe të padokumentuar me aktet përkatëse. Kjo mungesë transparence, thotë avokatja e popullit, ka shtuar shqetësimin dhe pasigurinë e banorëve, të cilët kërkojnë afate dhe dokumente individuale.

Prej fillimit të viteve 90 periferitë e kryeqytetit jnë mbushur me ndërtime pa leje, ku jetojnë qindra mijëra banorë prej më shumë se 30 vjetësh. Herë pas here ndaj këtyre ndërtimeve kanë nisur procese legalizimi, të cilat gjithashtu kanë zgjatur me dekada, dhe vitet e fundit cdo projekt publik për të ndërtuar rrugë apo infrastrukturë tjetër përballet me këtë problem dhe grup banorësh, që mbeten pa strehë.

XS
SM
MD
LG