Lidhje

Imzot Dodaj merr detyrën në krye të Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës


Imzot Dodaj ne ceremonine e marrjes se detyres.jpg

I emëruar në 30 nëntor në krye të Arqidieqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj mbajti sot në Tiranë në katedralen e Shën Palit meshën e parë si Arqipeshkëv. Ai është i treti Arqipeshkëv pas rënies së diktaturës komuniste. I pari që drejtoi Arqipeshkivinë e Tiranës dhe Durrësit ishte Imzot Rrok Mirdita. Në këtë detyrë të lartë që ju besua nga Papa Françesku ai pason Imzon George Frendon, i cili u tërhoq pas 25 vitesh shërbim në Shqipëri, gjatë së cilave siç ai vetë u shpreh sot nuk më ka ardhur kurrë keq që kam ardhur si misionar në këtë vend. Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë dhe Shqiptarët, dhe tek ky popull gjithmonë kam gjetur dashuri dhe respekt më shumë sesa meritoja. Përzemërsisht falënderoj popullin shqiptar, që u bë edhe populli im”.

Në fjalën e tij imzot Dodaj preku plagët e shoqërisë shqiptare ndërsa u shpreh se “dhe në Shqipërinë tonë të dashur është e mundur një angazhim i përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e të mirës së personit, të familjes natyrore të themeluar nga një babë e nënë, që është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe me të ardhme Për inkurajimin e brezave të rinj, që të zbulojnë që toka e premtuar është kjo në të cilën kanë lindur, e se dielli askund nuk lind më bukur se këtu, nëse sadopak do të hapin perdet që pengojnë për të parë dritën dhe shpresën që kanë ditur të shohin të parët tanë, që na e kanë lënë si trashëgimi”.

Në ceremoninë e përurimit ishin dhe drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës, Presideti Ilir Meta, Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla, Kryeminisri Edi Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Imzot Dodaj u duk se pati dhe një mesazh për politikën kur tha se “sa të lodhur jemi Jezus, nga zërat që ulërasin, që përçajnë, që akuzojnë, që dënojnë e ndonjëherë edhe mallkojnë duke menduar që kështu mbrojnë drejtësinë, të ardhmen dhe kombin! Çliroji nga errësira dhe nga mashtrimi ata që kërkojnë mirëqenien nëpërmjet korrupsionit, manipulimit dhe abuzimit të përgjegjësive që iu janë besuar”.

Në ceremoninë e marrjes së detyrës së imzot Dodajt, ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e besimeve të tjera. Praninë e tyre ai e përkufizoi “si një mozaik këtu së bashku shprehim që në Zotin jemi vëllezër të gjithë”.

Imzot Dodaj lindi më 21 janar 1977 në Laç. Pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, në vitin 1993 emigroi në Itali, ku dhe mori udhë formimi i tij si klerik. Më 11 maj 2003, ai u shugurua meshtar nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa në vitin 2017, ai u transferua në Arqipeshkëvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.

XS
SM
MD
LG