Lidhje

Kosovë, rreth 3 mijë raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve


Kosovo
Kosovo

Autoritetet në Kosovë thanë se një person ka humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar 2 mijë e 957 raste të të prekurve nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë tha se numri i të infektuarve u konfirmua pas më shumë se 11 mijë e 900 testeve, ku afër 25 për qind e të testuarve dolën pozitiv, një rritje kjo shumëfish më e lartë krahasuar me dy javë më parë kur pozitiviteti ishte rreth 3 për qind.

Një rritje e tillë e numrit të të infektuarve nuk është parë që nga muaji gusht i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me situatën më të rëndë shëndetësore.

Nga data 1 janar e deri më sot janë regjistruar afër 20 mijë raste te reja, dhe këto raste sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë pothuajse të gjitha nga varianti Omicron i koronavirusit.

Qeveria e Kosovës vendosi që nga dje forcimin e masave kufizuese për të frenuar zgjerimin e shkallës së infektimeve me COVID-19.

Nga data 22 janar e deri më 4 shkurt, ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, ndërsa kafenetë e restorantet do të punojnë deri në orën 21:00. Me masat e reja çdokush që hyn në Kosovë, duhet të jetë vaksinuar me tri doza vaksine apo me dy doza dhe të paraqesë një test negativ.

Qeveria ka përcaktuar edhe mënyrën e funksionimit të institucioneve arsimore varësisht nga situata epidemiologjike.

Nga janari tetë veta kanë humbur jetën nga pasojat e sëmundjes, duke e çuar në afër 3 mijë numrin e atyre që kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

XS
SM
MD
LG