Lidhje

Pfizeri nis testimin e një vaksine specifike për omikronin


FILE - Combination of file photographs with the logo of Pfizer at the production site of the COVID-19 vaccine in Puurs, Belgium, and a logo of BioNTech at the headquarters of the company in Mainz, western Germany.
FILE - Combination of file photographs with the logo of Pfizer at the production site of the COVID-19 vaccine in Puurs, Belgium, and a logo of BioNTech at the headquarters of the company in Mainz, western Germany.

Gjigandi farmaceutik amerikan, Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech, njoftuan të martën se kanë filluar një provë klinike të një versioni të ri të vaksinës së tyre COVID-19 të krijuar posaçërisht kundër variantit omikron të koronavirusit.

Kompanitë thanë në një deklaratë të përbashkët se do të testojnë vaksinën e re si një dozë fillestare ashtu edhe përforcuese në më shumë se 1400 vullnetarë të rritur të shëndetshëm midis moshës 18 dhe 55 vjeç.

Studiuesit do t'i ndajnë vullnetarët në tre grupe. Grupi i parë, i cili ka marrë dy dozat fillestare të vaksinës aktuale, do të marrë një ose dy doza të vaksinës së re specifike për omikronin. Grupi i dytë i vullnetarëve, të cilët kanë marrë dy dozat e para plus një dozë përforcuese të vaksinës origjinale, do të marrin një dozë ose të versionit aktual ose të versionit të rishikuar, ndërsa grupi i tretë do të përbëhet nga të rritur të pavaksinuar të cilët do të vaksinohen me tre dozat e vaksinës specifike për omikronin.

Prova klinike e vaksinës omikron të Pfizerit vjen pas publikimit të një studimi të ri që sugjeron se antitrupat e prodhuar nga një dozë e tretë e vaksinës origjinale ende ofrojnë mbrojtje të fortë katër muaj pas vaksinimit. Gjetjet, pjesë e një studimi laboratorik të kryer nga shkencëtarët në Degën Mjekësore të Universitetit të Teksasit në bashkëpunim me shkencëtarët në kompanitë Pfizer dhe BioNTech, u publikuan në internet të shtunën dhe nuk janë rishikuar ose publikuar në një revistë zyrtare shkencore.

Ndërpritet përdorimi i 2 trajtimeve me antitrupa

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave njoftoi të hënën se po ndalon përdorimin e dy trajtimeve me antitrupa të koronavirusit për shkak të mosfunksioninit të tyre me efektivitet kundër variantit omikron. Agjencia federale e barnave tha se po kufizon autorizimin e përdorimit emergjent të dhënë në lidhje me trajtimet e zhvilluara nga prodhuesit e barnave Regeneron dhe Eli Lilly.

Vendimi për të tërhequr dy trajtimet i lë mjekët dhe spitalet në Shtetet e Bashkuara me vetëm një trajtim antitrupash të zhvilluar nga prodhuesi amerikan i ilaçeve GlaxoSmithKline dhe partneri i tij, Vir Biotechnology, së bashku me pilula antivirale të zhvilluara nga Pfizer dhe gjiganti farmaceutik amerikan Merck - që janë të pakta në të gjithë vendin dhe shumë vështirë për t'u gjetur.

Lloj i ri i variantit omikron

Ndërkohë, shkencëtarët në mbarë botën po ndjekin me vëmendje një version të ri të variantit omikron të koronavirusit që tani është zbuluar në më shumë se 40 vende.

Lloji i ri, i cili është quajtur BA.2, është zbuluar këtë muaj në Britani, Danimarkë, Indi, Norvegji, Singapor, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët shëndetësorë në Danimarkë thonë se versioni BA.2 ka zhvendosur versionin origjinal të omikronit, të quajtur BA.1, dhe tani përbën pothuajse gjysmën e të gjitha infeksioneve të reja në vend, ndërsa Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore e ka klasifikuar BA.2 si "një variant nën hetim."

Faqja e internetit Outbreak.info, e cila merret me përpunimin e të dhënave të infeksioneve me Covid-19, thotë se BA.2 është zbuluar në 49 vende.

Studiuesit e kanë quajtur BA.2 një "omikron të fshehtë" sepse tiparet e tij gjenetike e bëjnë më të vështirë identifikimin përmes testeve PCR. Por deri më tani, nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar nëse versioni i ri është më i transmetueshëm dhe më virulent sesa varianti i tij i mëparshëm shumë ngjitës.

XS
SM
MD
LG