Lidhje

Hovenier: Është vendim sovran i qeverisë së Kosovës se si duhet të duket Asociacioni i komunave me shumicë serbe


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha të mërkurën në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës, se qeveria e Kosovës duhet t’u përmbahet zotimeve që ka bërë në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë se duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Por, siç e kemi thënë shumë herë, besoj madje edhe kolegu im Matt Palmer ju ka thënë pikërisht në këtë tryezë, ne nuk ju diktojmë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të jetë. Ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka modele të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, tha ai.

Çështja e asociacioni është çështja më problematike në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Marrëveshja për themelimin e tij është arritur në vitin 2013, ndërsa dy vjet më pas është nënshkruar një marrëveshje mbi parimet e themelimit të këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shumë mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Beogradi ngulë këmbë që ai të themelohet sipas marrëveshjes së vitit 2015, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thekson se “nuk mund të ketë asociacion një etnik”, që sipas tij mund të çojë në krijimin e një entiteti të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Ambasadori Hovenier tha se është “vetëdijshëm për shqetësimet për një tjetër Republikë Serbe. Askush nuk është i interesuar për këtë”, shtoi ai.

Ambasadori Hovenier theksoi se Shtetet e Bashkuara duan të ndihmojnë arritjen e një marrëveshjeje për normalizim, e cila “duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen e ndërsjellë”.

Ai theksoi se sovraniteti i Kosovës dhe tërësia tokësore e saj nuk janë në pikëpyetje.

“Do të thosha që këto janë fakte historike. Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Kosova është shtet sovran. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë”, tha ai.

Javën e ardhshme i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë në Prishtinë dhe në Beograd, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG