Lidhje

Kosovë, protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike


Protest on energy prices
Protest on energy prices

Grupe protestuesish hodhën llampa dritash dhe qirinj të shtunën mbi ndërtesën e qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Përgjatë protestës pati edhe çaste përplasjesh me policinë në hyrje të ndërtesës së qeverisë, meqë drejtuesit e Partisë Socialdemokrate që ishte organizatore e protestës, kërkuan të shfrytëzojnë shkallët e hyrjes së qeverisë për të mbajtur fjalimet.

Kosovë, protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Autoriteti rregullator i energjisë thotë se rritja e çmimit është e pashmangshme për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike që importon Kosova, për të mbuluar mungesat. Zyra e Rregullatorit ka propozuar rivendosjen e blloqeve të tarifave për konsumatorët shtëpiakë. Të gjithë konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë energji në muaj, do të paguajnë energjinë shtesë të shpenzuar sipas çmimit të importit. Aktualisht çmimi i importit sillet rreth 250 euro për megavat në bursën ndërkombëtare, një shifër kjo shumëfish më e lartë se e çmimit të prodhimit në vend.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se protestat nuk do të ndalen për të penguar miratimin e propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Kjo përgjigje sot në këtë protestë, kjo këmbëngulësi e jona dhe e gjithsecilit që jeni këtu e që po vazhdoni me qenë këtu, është porosia e qartë të cilën duhet t’i hapin veshët e të dëgjoj ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), ai propozim i ZRRE-së duhet me njëherë pa ndërprerë, tani të hidhet poshtë, ai propozim nuk ka me kalu, sa të ka qytetarë aktivë, sa të jemi ne gjithë bashkë pavarësisht dallimeve partiake këtë zotim nuk do të lejojmë që të kaloj”, tha zoti Molliqaj.

Ai kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mos-ndërmarrjen e hapave për të kthyer kompaninë e shpërndarjes së energjisë në pronësi të shtetit, e cila është e privatizuar në vitin 2012 në një proces që është kundërshtuar vazhdimisht nëpër vite nga lëvizja Vetëvendosje.

“Kurrë moment më të mirë nuk kishte pasur qeveria e Kosovës sesa tash me kthy distribucionin në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por me ndodh kjo vyen guxim politik, e problemi është kështu, që brenda kësaj ndërtese është një frikacak, është një “tuc’ që vetën e shet si supermen, e bash që është ‘tuc’, është shumë i rrezikshëm”, tha ai.

Paralajmërimi për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare parlamentare të cilat gjatë javës provuan të miratojnë një rezolutë në parlamentin e Kosovës kundër rritjes së çmimit, por nuk u mbështet nga deputetët e shumicës.

Qeveria e Kosovës është zotuar të ndajë 75 milionë euro si mbështetje për të zbutur rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Qeveria thotë se rritje të çmimit do të ketë vetëm për sasinë e importuar dhe jo atë që prodhohet në vend dhe se aktualisht mundësitë e Kosovës janë të vogla për të mbuluar kërkesën e madhe të konsumit.

Kosova këtë dimër është detyruar të importojë deri në 40 për qind të energjisë elektrike për shkak të mungesës së prodhimit të mjaftueshëm vendas për të mbuluar kërkesat në rritje.

XS
SM
MD
LG