Në galerinë “Oda” në Shkodër, piktorja nga Gjakova Argenita Fetahu hapi ekspozitën vetjake me piktura të titulluar “Përtej kohës”. Ekspozita përcjell mesazhin e nevojës së transmetimit, nga njëri brez tek tjetri, të përvojës jetësore dhe kulturore të brezave. Piktorja Fetahu thotë se është e rëndësishme që krijimtaria e artistëve shqiptarë të njihet në të gjithë hapësirën shqipfolëse.
Piktorja Argenita Fetahu thotë se Gjakovën dhe Shkodrën i lidhin trashëgimia kulturore dhe historike, ashtu siç lidhen në pikturat e saj e kaluara me të sotmen. Kjo është edhe arsyeja që ajo zgjodhi galerinë “Oda” në Shkodër për të paraqitur pikturat e saj. Është e rëndësishme, thotë ajo, që krijimtaria e artistëve shqiptarë, kudo ku ata jetojnë e krijojnë, të njihet në të gjithë hapësirën shqipfolëse, si mundësi për zhvillimin e kulturës kombëtare. Pikturat e Argenita Fetahut kanë në qendër të tyre figurën e gruas dhe simbolikën e një fustani, që kalon nga njëri brez në tjetrin.
“Në pikturat e mija djeshmërinë e kthej në vepra unike. Dhe kjo ka të bëjë me një fustan. Është fustani i nënës time, të cilën jam duke e prurë në kohë, pasi nëna e saj j’a dhuroj nënës time dhe, më pas, ajo m’a dha mua. Dhe shpresoj që këtë ta përcjelli brez pas brezi”, thotë ajo.
Pjesë e krijimtarisë së piktores Argenita Fetahu janë edhe pikturat murale në mjedise të ndryshme publike në Kosovë, të cilat i kanë mundësuar asaj të jetë më shumë në vemendjen e publikut.
Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, thotë Argenita, piktoret e reja ndeshin me bariera, që vijnë nga e kaluara, por edhe nga e sotmja. Megjithatë, shton ajo, është e rëndësishme që të mos ndalemi, të vazhdojmë të punojmë dhe të përcjellim mesazhet tona përmes artit.
“Në fakt, krejtësisht nuk është që kemi mbështetje nga institucionet. Mirëpo, duke u munduar që të punojmë, nëpërmjet këtyre veprave, duke u munduar që t’i ekspozojmë dhe mbulojmë shpenzimet, duke mos u ndalur së punuari, do t’a gjejmë veten dhe ngritemi në jetë”, thotë ajo.
Kuratorja e ekspozitës, Rozafa Shpuza, thotë se pikturat e Argenitës kanë në brendësi të tyre shumë pse dhe mister, që e bëjnë artdashësin të thellohet duke u përfshirë në botën emocionale të piktores:
“Argenita ka mister shumë në punët e saj dhe kjo mua më ka tërhequr që në fillim, dhe mezi kam pritur që ajo me ardhë me u ba pjesë e galerisë “Oda”. Pikturat e saj, të cilat të gjitha i përcjell një fustan, një trashëgimi, nga gjyshja tek nëna e tek Argenita, një fustan i kuq, kanë një simbol shumë të theksuar të ndjenjës së dashurisë”.
Megjithëse e re në moshë, piktorja nga Gjakova, Argenita Fetahu, është pjesëmarrëse në disa ekspozita ndërkombëtare. Pikturat e paraqitura prej saj në ekspozitën “Përtej kohës” kanë si pikë referimi eksperiencën jetësore të vetë artistes, botën e brendëshme të gruas dhe raportin e saj jetësor mes të shkuarës dhe të tanishmes.