Lidhje

Një vit pas puçit në Mianmar, vazhdon rezistenca ndaj udhëheqjes ushtarake


Mianmar
Mianmar

Një vit pas grushtit të shtetit në Mianmar, ushtria vazhdon të mbaj pushtetin dhe udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike vazhdojnë të përballen me dënime të gjata me burg. Ndërkohë, banorët e Mianmarit vazhdojnë t'u rezistojnë përpjekjeve të ushtrisë për të zgjeruar pushtetin.

Mianmari është zhytur në kaos dhe dhunë, që kur ushtria nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2020 dhe rrëzoi qeverinë civile më 1 shkurt të vitit të kaluar.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se rreth 1500 civilë, duke përfshirë dhjetëra fëmijë, janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë shtypjes së protestave nga ushtria.

Një vit pas puçit në Mianmar, vazhdon rezistenca ndaj udhëheqjes ushtarake
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Megjithatë, kjo nuk e ka ulur vendosmërinë e njerëzve për të kërkuar kthimin e vendit në demokraci.

“Unë jam i mahnitur nga populli i Mianmarit dhe jam i sigurt se kjo ka befasuar gjeneralin Min Aung Hlaing dhe juntën ushtarake, të cilët menduan se mund t’i shpëtonin kësaj. Ata po e kuptojnë tani se nuk kishin parashikuar këtë nivel përkushtimi nga banorët e Mianmarit për të shpëtuar vendin e tyre”, thotë Tom Andrews, përfaqësues i posaçëm i OKB-së për Mianmarin.

Ushtria ka arrestuar, gjykuar dhe dënuar udhëheqësen Aung San Suu Kyi, Presidentin U Win Myint dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të Partisë Lidhja Kombëtare për Demokraci.

Gjenerali Min Aung Hlaing shkoi në Indonezi në prill për një samit të bllokut rajonal të ASEAN-it, ku ai ra dakord të zbatonte një plan prej pesë pikash, që përfshinte përfundimin e dhunës dhe fillimin e një dialogu kombëtar. Ai nuk e mbajti premtimin për zbatimin e këtij plani.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka patur mungesë veprimi. Kina dhe Rusia, të cilat kanë të drejtë vetoje, janë kundër vendosjes së sanksioneve, apo embargos së armëve ndaj ushtrisë së Mianmarit dhe frika e anëtarëve të tjerë nga thellimi i përçarjeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka bllokuar përpjekjet për të ndërmarrë veprime të duhura.

“Ushtria e Mianmarit ka marrë nga Këshilli i Sigurimit dritën jeshile. Ata e dinë, që nuk do të ndëshkohen për vrasjet, sepse vendet anëtare të këtij organi, madje as nuk do të provojnë ta bëjnë këtë. Ato janë dorëzuar”, thotë Louis Charbonneau, drejtor i organizatës Human Rights Watch për çështjet që lidhen me OKB-në.

Në mungesë të veprimeve nga Këshilli i Sigurimit, më 18 qershor të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë, që në thelb kërkonte vendosjen e një embargoje armësh. Por rezolutat e tyre nuk kanë fuqi ligjore.

“Unë mendoj se institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në dhe ASEAN-in, janë bllokuar dhe nuk ka asnjë rrugë të qartë për Këshillin e Sigurimit, apo ndonjë organ tjetër ndërkombëtar për të ushtruar presion të mjaftueshëm mbi ushtrinë për të përmbysur grushtin e shtetit”, thotë eksperti Richard Gowan nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në mungesë të një embargoje ndërkombëtare armësh dhe sanksioneve ekonomike ndaj gjeneralëve të ushtrisë, populli i Mianmarit ka filluar të luftojë.

"Njerëzit po rezistojnë dhe duan të rrëzojnë diktaturën ushtarake me çdo mjet të mundshëm. Lufta e armatosur është vetëm një nga mënyrat e shumta për të rezistuar", thotë Zin Mar Aung, Ministre e Jashtme e qeverisë së unitetit kombëtar të Mianmarit.

Përleshjet midis ushtrisë dhe grupeve të armatosura janë intensifikuar në të gjithë Mianmarin, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve.

“Junta i ka shpallur luftë popullit të Mianmarit. Ata po i identifikojnë njerëzit që jetojnë në këto fshatra të Mianmarit si armiq dhe për këtë arsye, ata mendojnë se kanë të drejtë t'i sulmojnë, t'i vrasin dhe t'i torturojnë. Kështu që kemi një nivel të tmerrshëm të shkeljes së të drejtave të njeriut. Dhe kam frikë se gjendja po përkeqësohet”, thotë Tom Andrews, përfaqësues i posaçëm i OKB-së për Mianmarin.

Analistët thonë se gjasat për zgjidhjen e shpejtë të krizës janë të pakta.

“Mendoj se për momentin, ne do të shohim një vazhdim të dhunës. Edhe nëse dhuna frenohet, shanset për një zgjidhje politike janë të vogla”, thotë analisti Richard Gowan.

XS
SM
MD
LG