Lidhje

Përfaqësuesi i posaçëm britanik për Ballkanin, Stuart Peach viziton Shkupin


Përfaqësuesi i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovachevski
Përfaqësuesi i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovachevski

Përfaqësuesi i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach po qëndron për një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, ku u prit nga drejtuesit më të lartë shtetërorë.


Sipas një komunikate nga zyra e Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, zoti Peach ka theksuar mbështetjen e fuqishme të vendit të tij për integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor si dhe për ngritjen e institucioneve të forta, të qëndrueshme dhe demokratike, si dhe për shoqëri të hapura.

Kryeministri Kovaçevski ka theksuar kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për avancimin e kushteve të sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

Edhe Presidenti Stevo Pendarovski ka shprehur mirënjohje për përkushtimin britanik lidhur me ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe mirëqenies në rajon.

Krerët më të lartë shtetërorë maqedonas kanë diskutuar me të dërguarin britanik për gjendjen aktuale në vend dhe në rajon dhe për interesat e përbashkëta midis dy vendeve, për mënyrat e forcimit të institucioneve në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Presidenti Pendarovski e ka njohur zotin Peach me rrjedhën e bisedimeve me Bullgarinë, teksa ka theksuar se heqja e bllokadës bullgare për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian do t’i sillte stabilitet të gjithë rajonit.

Zoti Peach do të ketë takime të veçanta edhe me Ministrin e jashtëm Bujar Osmani dhe me atë të Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ndërsa do të takohet edhe me drejtues të opozitës dhe me përfaqësues të shoqërisë civile në Shkup. Pas Shkupit, ai do të vizitojë Sofjen.

Stuart Peach, i cili më parë ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë britanike dhe Komandant i Komitetit Ushtarak të NATO-s, u emërua në dhjetor 2021 si përfaqësues i posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.

XS
SM
MD
LG