Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tha të hënën se përfundoi hetimet paraprake dhe dërgoi për gjykim ish prokurorin e Sarandës Sali Hasa.
Sipas prokurorisë së Posaçme Hasa akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Në gjykataë janë dërguar nga Prokuroria e Posaçme edhe 7 persona të tjerë në të njëjtën dosje penale.
Tre prej tyre Napolon Hodaj, Markelian Alinani, Julian Zera, akuzohen për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dy persona të tjerë Emiljano Mirani dhe Elsona Papa, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, ndërsa dy të tjerë Qerim Ruçi, Bledar Hajredini, “për paracaktim të rezultateve sportive”.
Ish prokurori Sali Hasa u arrestua Qershorin e vitit të shkuar pas një urdhëri të Prokurorisë së Posaçme.
Nga hetimet e kryera Prokurori Hasa dyshohet i përfshirë në rastin e pushimit të një çështjeje ndaj Emiljano Mirani, i cili akuzohej “për plagosje dhe mbajtje të armëve të ftohta”. Prokuroi Hasa dyshohet se ka marrë ryshfet nga motra e Emiljanos, Elsona Papa”.
Provat e grumbulluara ndaj prokurorit por edhe personave të tjerë që ishin përfshirë në ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe trukime ndeshjesh sportive dolën kryesisht nga përgjime tek po hetohej nga SPAK, prej shkurtit të vitit 2020, një çështje për trafik narkotikësh.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi në shtator nga detyra prokurorin e arrestuar të Sarandës, Sali Hasa, pasi nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme.
Sipas Komisionit të Kualifikimit Hasa nuk kishte bërë deklarim të saktë, nuk ka burime dhe ka fshehur pasurinë.