Lidhje

LSI kërkon në KQZ koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, së bashku me ndjekësit e ish kryeministrit Berisha


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta regjistrojë si parti udhëheqëse e koalicionit zgjedhor “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

LSI kërkon regjistrimin në KQZ, në koalicion me ish-kryeministrin Berisha
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Sipas dokumentit të LSI, ky koalicion përbëhet, krahas saj, edhe nga Partia Demokristiane dhe nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Për këtë kërkesë LSI citon nenin 65 Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, “dy ose më shumë parti politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha për VOA se nuk mund të jepte sqarime apo reagim lidhur me këtë kërkesë, sepse afati për dorëzimin e kërkesave për regjistrim të koalicioneve nuk ka përfunduar ende.

Sipas saj, kërkesat për regjistrim kalojnë përmes vendimmarrjes së KQZ në seanca publike. KQZ miraton nesër regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore sipas nenit 64 dhe kërkesat për koalicione zgjedhore mes tyre mund të paraqiten për regjistrim brenda 24 orve nga miratimi i kërkesave të secilës parti.

Vëzhgues të pavarur pohojnë se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike nuk është paraqitur në KQZ si subjekt zgjedhor, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor, gjë që ngre pikëpyetje mbi legjitimitetin e koalicionit të saponjoftuar nga LSI.

Nisma e LSI-së për këtë koalicion u cilësua nga Partia Demokratike si "Koalicioni Non-Grata një zyrtarizim i partisë së vjetër Meta - Berisha - Rama", që e "etikon si Trekëndëshi i Bermudës", dhe "koalicioni që simbolizon korrupsionin, politikën e vjetër dhe lajmet e rreme".

Partia Demokratike theksoi në një deklaratë me këtë rast se "Partia e vjetër Meta - Berisha - Rama synon të dëmtojë PD dhe demokratët si dhe të bëhet strehë mbrojtëse për Metën dhe Berishën".

Lidhur me pretendimet e përkrahësve të ish kryetarit Sali Berisha mbi legjitimitetin e drejtuesve të PD-së, diplomatët amerikanë janë shprehur hapur pro kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim njoftoi përmes Twiterit pak ditë më parë se pati "një takim të shkëlqyer me kryetarin Basha mbi çështje kryesore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, përfshirë mënyrat për të forcuar institucionet demokratike, luftën ndaj korrupsionit & rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri nga veriu në jug".

"Një opozitë e fortë, me vështrimin përpara është themelore për demokracinë” - theksoi ambasadorja Kim.

Diplomatët amerikanë kanë përsëritur se përcaktimi i ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij për korrupsion dhe cënim të demokracisë është një vendim i pakthyeshëm.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë, kanë kërkuar të marrin pjesë 11 parti politike: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia Balli Kombëtar Demokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Bashkimi Demokrat, Partia e Reformave Demokratike, Partia Demokristiane, Partia Kristian Demokrate, Lëvizja Socialiste për Integrim, Fryma e Re Demokratike, Lëvizja e Re.

Komisionet zgjedhore tashmë janë ngritur, ndërsa në bashkinë Vorë pritet të zbatohet projekti pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave.

XS
SM
MD
LG