I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, vazhduan të martën takimet me partitë politike opozitare në Kosovë.
Ata takuan sot më dyer të mbyllura kryetarin e Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Të tre udhëheqësit shkruan në rrjete sociale se temë e diskutimeve ishin zhvillimet politike në vend dhe çështja e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Zoti Escobar dhe Lajçak, filluan dje vizitën në Prishtinë, në kuadër të vizitës në rajon, gjatë së cilës do të qëndrojnë edhe në Beograd, në një përpjekje për të ripërtërirë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha mbrëmë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se Bashkimi Evropian duhet ta shohë rajonin si mundësi dhe jo si rrezik, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.
“Dialogu ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian sepse ka të bëjë me Evropën, por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të Shteteve të Bashkuara sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik që ju veç se jeni pjesë dhe ky dialog do të ju afrojë edhe më shumë”, tha zoti Escobar.
I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak tha se vizita e përbashkët është për të dërguar mesazh të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtë së bashku në procesin e bisedimeve.
“Se ne ndajmë pikëpamjen tonë për Kosovën, për bisedimet për normalizim me Serbinë dhe për të ardhmen e rajonit. Dhe më vjen mirë që kjo vizitë tashmë ofroi mundësi për të diskutuar planet tona për javët dhe muajt e ardhshëm me zonjën presidente dhe kryeministrin. Do të vazhdojmë diskutimet tona dhe do të qëndrojmë këtu deri të mërkurën dhe jam i sigurt se kjo do të na ndihmojë të arrijmë një pasqyrë shumë të mirë për atë çfarë të presim në të ardhmen dhe si ta çojmë procesin tonë përpara”, tha ai.
Dy të dërguarit e posaçëm po përpiqen të sigurojnë një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të ripërtërirë procesin e bisedimeve që ka ngecur.
Mospajtimet më të thella kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina kërkon që çështje tjera më të ngutshme si ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, të hidhen në tryezë.
SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel, ndërsa sa i përket asociacionit, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se ai “është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës” dhe se “ka modele të cilat mund të funksionojnë” dhe kanë inkurajuar qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë ato. Por, askush nga zyrtarët amerikanë nuk ka saktësuar se për çfarë modelesh bëhet fjalë, duke nxitur opinione të ndryshme se si mund të duket ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se qeveria e tij e mbështet dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor dhe të drejtpeshuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e ndokujt. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj edhe jam i gatshëm që t’u përgjigjem të gjithave kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës edhe të qytetarëve serb, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës por edhe të BE-së por duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitetet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar”, tha kryeministri Kurti.
Udhëheqësit e Kosovës thonë se nuk do të lejojnë krijimin e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive që do ta bënte shtetin e Kosovës jofunksional nga brenda.