Lidhje

Shqipëri, rastet e reja më Covid, bien për të dytën javë rradhazi


Spitali, infektiv ambulanca
Spitali, infektiv ambulanca

Në Shqipëri, java e fundit (1-7 shkurt) shënoi një tjetër përmirësim të ndjeshëm të situatës së pandemisë. Por ndërsa rastet e reja ranë ndjeshëm, numri i vdekjeve u shtua, ndërsa në spital u rrit numri i atyre që ishin në gjendje kritike.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në total u identifikuan 6332 të prekur, ose 34 përqind më pak se në javën pararendëse. Numri i rasteve erdhi duke u tkurrur dita ditës, duke shënuar pikën më të ulët në 24 orët e fundit me vetëm 251 raste. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë ajo janë identifikuar në 32 nga 61 bashki të vendit: 113 në Tiranë, 16 në Vlorë, nga 15 qytetarë në Fier, Lushnje, 14 në Durrës, 12 në Berat, 6 në Mallakastër, nga 5 qytetarë në Devoll, Pogradec, Lezhë, 4 në Përmet, nga 3 qytetarë në Gramsh, Poliçan, Sarandë, Delvinë, Kurbin, Mirditë, nga 2 qytetarë në Fushë Arrëz, Vorë, Kavajë, Bulqizë, Roskovec, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, nga 1 qytetar në Kolonjë, Dropull, Gjirokastër, Dibër, Tropojë, Has, Kukës.

Paralelisht edhe testimet ranë me 18 përqind, duke zbritur në kuotën e pak më shumë se 29 mijë tamponëve të realizuar. Por reduktimi i tyre ishte në një masë ndjeshëm më të vogël se sa tkurrja e rasteve të reja. Për pasojë dhe pozitiviteti zbriti në kuotën e 21.7 përqind nga 27.1 përqind që kishte qenë një javë më parë. Pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Por ndërsa të infektuarit u reduktuan, viktimat u rritën, duke shënuar 41 humbje jete nga 34 të një javë me parë. Një situatë që duket se reflekton situatën në spitale, ku numri i pacientëve ka qenë thuajse në të njejtat kuota, por me ndryshimin se ka patur një shtim të të sëmurëve që kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në terapi intensive. Në 24 orët e fundit, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë “në spitalet COVID po marrin trajtim 126 pacientë, nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orët e fundit, ka patur shtatë humbje jete me SARS-COV2 pozitiv: një qytetar nga Himara 65 vjeç, një qytetare nga Korça 66 vjeçe, një qytetar nga Fieri 79 vjeç, një qytetar nga Shkodra 85 vjeç, dy qytetarë nga Kavaja të moshave 79- 87 vjeç, një qytetare nga Tirana 88 vjeçe”.

Kjo është java e dytë radhazi që shifrat e përhapjes së pandemisë shënojnë një përmirësim, pas një vale të fortë që goditi vendin gjatë muajit janar, ku numri i të prekurve ishte më shumë se 4 herë më i madh, duke kapur një rekord prej më shumë se 49 mijë rastesh, mesatarja me lartë mujore që prej fillimit të pandemisë, kjo dhe për shkak të rritjes së testimeve. Por nëse krahasojmë pozitivitetin, 26.6 përqind, janari krahasohet me shkurtin e vitit të kaluar kur ishte në nivelin e 26.7 përqind.

XS
SM
MD
LG