Lidhje

Shqipëri, sfida e familjeve në nevojë për energjinë elektrike


Sfida e familjeve në nevojë në Shqipëri për energjinë elektrike
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:35 0:00

Varfëria energjitike është rritur në Shqipëri për shkak të vështirësive të familjeve për të përballuar pagesat për energjinë elektrike. Komunitetet më të prekura janë romët dhe egjyptianët që jetojnë në disa qarqe të vendit dhe familjet me të ardhura të pakta.

Komisonieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i ka kërkuar qeverisë të miratojë statusin e “klientit në nevojë” për t`u sigruar energji falas disa mijëra familjeve që janë në pamundësi financiare.

Në periferi të Gjirokastrës, në një lagje që quhet “zinxhira”, pjesëtarët e një komuniteti rom e kanë të lidhur jetën me varfërinë.

Familjet e këtij komuniteti me mbi 1200 banorë problemin më të madh kanë sigurimin e energjisë elektrike.

Të ardhurat që nxjerrim duke shitur në treg mallrat e përdorura nuk arrijnë për bukë dhe të paguajmë dritat nuk kemi para, thotë Feruze Xhihani, nëna e dy djemve dhe një vajze që kanë 18 fëmijë.

“Ne këtu jetojmë në kushte shumë të vështira. Nuk bëjmë jetë njeriu. Rrugë s`kemi,me ujin vështirësi, me dritat herë kemi ,herë s`kemi”.Njëri djalë ka shtatë fëmijë, tjetri gjashtë, me se ti ushqejnë, me se t`i ngrohin ?”

Familjet që jetojnë në një shtëpi dhe tre baraka herë e paguajnë dhe herë nuk e paguajnë enegjinë elektrike dhe kompania ua ndërpret lidhjet kur nuk shlyejnë detyrimet.

“Na e presin energjinë kur se paguajmë. Sot vajti vajza dhe e pagoi faturën, 430 mijë (lekë). Me se ti nxjerrim këto lekë, punë s`ka se na ka vështirësuar dhe pandemia”, thotë Feruzeja.

Familjet e komunitetit rom dhe egjyptian në Gjirokastër janë më të prekurat nga varfëria edhe për shkak se pandemia e vështirësoi aktivitetin e tyre thotë për Zërin e Amerikës drejtoresha e Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Gjirokastrës Albana Allushi. Kjo bën që ato të kenë probleme me pagesën energjisë elektrike.

“Familjet, sidomos në stinën e dimrit, e rrisin vlerën e shpenzimit për energji elektrike pasi edhe nevojat janë më të mëdha. Kjo vihet re sidomos tek komunitetet rome dhe egjyptiane që kemi në Gjirokastër të cilat janë në një numër të konsiderueshëm. Këto komunitete përbëjnë edhe shumicën e personave që marrin ndihmën ekonomike.”

Zonja Allushi thotë se Bashkia e Gjirokastrës kompeson rreth 150 familje për energjinë në rreth 20 dollarë në muaj dhe pagesa jepet vetëm për ata që kryejnë shlyerje të rregullt të faturës.

“Në bashkinë Gjirokastër marrin ndihmë ekonomike 624 persona me aftësi ndryshe dhe rreth 58 familje . Numri i personave që përfitojnë kompesim për energjinë është më i ulët se numri i personave që marrin ndihmë ekonomike, pasi duhet të saktësojmë se kompesimi për energjinë jepet për kryefamiljarin dhe vetëm në rastet kur kryhet rregullisht pagesa e faturës së energjisë”, thotë zonja Allushi.

Varfëria energjitike nuk është problem vetëm për disa qindra familje në Qarkun e Gjirokastrës.

Sipas një raporti të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me qendër në Vjenë, publikuar fundvitin e shkuar, Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor të familjeve në varfëri energjitike.

Sipas raportit, 37 % e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi për të ngrohur siç duhet shtëpitë dhe të përmbushin nevojat e përditshme për energji ndërkohë që mesatarja europianë është 5%.

Raporti vë në dukje se familjet në varfëri energjetike nuk marrin mbështetjen e mjaftueshme.

Qeveria shqiptare ndonëse e ka detyrim ligjor ende nuk e ka miratuar statusin e “klientit në nevojë” që do garantonte dhënien e një sasie energjie falas për personat apo familjet më të varfra.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda flet për Zërin e Amerikës për stausin e “klienti në nevojë”.

“Është parashikuar në ligjin për sektorin e energjisë elekstrike statusi i “klientit në nevojë”, por për të qenë i konkretizuar dhe i zbatueshëm kërkon miratimin e një akti nënligjor të posaçëm nga Këshilli Ministrave që të bëhet i prekshëm për qytetarët”, thotë zoti Gajda.

Zoti Gajda thotë më tej se pagesa e energjisë është një barrë e rëndë për shumë familje shqiptare në nevojë.

“Tek shumë familje që pjesën më të madhe të të ardhurave i kanë nga pagesat që shteti ofron (pagesat për pensionet, aftësinë e kufizuar, ndihmën ekonomike), ajo që vëmë re është se fatura e energjisë elektrike ushtron një barrë të rëndë ku zë një pjesë të madhe të buxhetit familjar nga 20 % deri në 30%, duke i shtuar edhe barrën e pagesave të prapambetura të energjisë bëhet edhe më e vështirë për t'u përballuar”.

Ndërsa Anduel Çekrezi një ekspert në fushën e energjisë thotë për Zërin e Amerikës se krahas rregullimit ligjor përmes miratimit të statusit “të klientit në nevojë” qeveria duhet të gjejë edhe një zgjdhje të qëndrueshme për sigurmin e energjisë eletrkike për kategoritë në nevojë të popullsisë duke investuar vetë apo përmes partneriteteve.

“Kemi rreth 155 mijë familje që kategorizohen tek shtresa në nevojë që marrin në vit rreth 25 milionë dollar nga buxheti . shtetit . Nëse llogarisim fuqinë prej 250 kilovatësh në muaj dhe nëse do llogarisim teknologjinë që do duhej për përfitimin e energjisë (unë kam bërë një llogari me teknologjinë diellore me panele fotovoltaike) do na duhej një fuqi 250 deri në 300 Megavat central energjie për të plotësuar gjithë nevojën energjitike për këto familje. Në shifra ky investim do kërkonte rreth 150-200 milionë euro, i cili nëse do shihej me prioritet nga shteti ka një kthim shumë të shpejtë nëse marrim vetëm paratë që shpenzohen cdo vit nga buxheti i shtetit për të kompesuar këto familje në nevojë."

Zoti Çekrezi flet për nevojën për të plotësuar nevojat energjitke mujore.

“Ne kemi parë një studim të Entit Rregullator të Energjisë që është bërë për të parë sa është nevoja energjitike mujore dhe llogaritet 250 deri në 300 kilovat për të plotësuar nevojat bazike si ndriçimi, konsumi pajsijeve elektrike shtëpiake dhe pak ngrohje.”

Shqipëria është i vetmi vend në rajon pa stausin e “klientit në nevojë” për varfërinë energjitike, por gjithashtu edhe i vetmi vend që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht minimumin jetik të popullatës. Pas gati tre dekadash të postkomunizmit asnjë nga qeveritë nuk e ka kryer këtë vlerësim duke mos u afruar mbështetje ligjore dhe më pas ekonomike mijëra familjeve në kushtet e mbijetesës.

XS
SM
MD
LG