Në Kosovë ligjvënësit e opozitës kritikuan të mërkurën vendimin e Zyrës së Rregullatorit të energjisë për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe e akuzuan atë se ka vepruar nën ndikimin e qeverisë.
Nga sot kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për energjinë elektrike për konsumatorët shtëpiak, që do të mbeten në fuqi deri në muajin mars të vitit 2023. Sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë, konsumatorët që shpenzojnë deri 800 kilovatë në muaj energji elektrike nuk do të preken nga çmimet e reja, ndërsa çdo shpenzim i mëtejmë do të faturohet pothuajse dyfish.
Opozita thirri seancë të jashtëzakonshme të parlamentit me kërkesën për anulimin e vendimit dhe shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të energjisë.
“Zyra e Rregullatorit të energjisë që vendimin e saj doli që të jetë jo vetëm mbi Kuvendin dhe deputetët por edhe mbi kushtetutën dhe sovranitetin e shtetin tonë sepse ajo i ndau qytetarët me vendimin e saj të djeshëm final në subjektet të pabarabarta, duke ju qitë haraç disave për të mbuluar koston e disa të tjerëve”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Zyra e Rregullatorit për energji që tashmë është kthyer në një instrument të qeverisë është duke reflektuar saktë dhe drejtë direktivat e deklarimet e qeverisë dhe shumicë parlamentare. Shihni tarifat që i ka vendos, shihni propozimet që i kanë dhënë dhe aty i gjeni. Tashmë për qytetarët e Kosovës është e qartë se vendimi nuk është i pavarur”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Do të thotë qeveria me 90 milionë vendos me subvencionue energjinë elektrike për krejt sektorin privat, vendos me subvencionu për 80 për qind të ekonomive familjare që sipas ZRRE-së shpenzojnë mesatare gjatë tërë vitit më pak se 800 kilovatë dhe barrën prej 162 milionë euro e lenë tek 20 për qind e qytetarëve ose 120 mijë familje”, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Partitë opozitare thanë se do ta kundërshtojnë këtë rritje në çdo gjykatë dhe me të gjitha mjetet demokratike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë mbledhjes së qeverisë se nga fillimi i krizës, qeveria ka ndarë 120 milionë euro për të mbështetur sektorin energjetik dhe se sipas tij subvencionimi i vazhdueshëm i blerjes së energjisë është e papërballueshëm dhe paqëndrueshëm për buxhetin e vendit. Ai tha e gjatë këtij viti çmimi i energjisë nuk pritet të kthehet në shifrat e mëparshme.
“Përballë tarifave të reja të ZRRE-së ne tashmë kemi zotuar deri në 100 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët tanë. Pra shumën fillestare prej 75 milionë e kemi ngritur në 100 milionë. Besojmë se kjo shumë e zotuar e ka mundësuar uljen e çmimit të tarifës që fillimisht ishin propozuar nga ZRRE-ja dhe zhvendosjen e bllokut tarifor nga 600 kilovatë orë në 800 kilovatë orë", tha kryeministri Kurti.
Ai tha se gjatë muajve të ftohtë të vitit, rreth 70 për qind e familjeve nuk do të preken nga rritja e çmimeve pas mbështetjes nga qeveria me shumën prej 100 milionë eurosh dhe se, në kohë krizash, tha ai, nuk mundet të gjendet një zgjidhje ideale.
“Kur kërkohet që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në një kohë që po shpenzojmë më shumë se sa që prodhojmë dhe ku çmimet e importit vazhdojnë të jenë më të larta se zakonisht, çka në fakt po kërkohet është ose shteti të subvencionojë plotësisht importin e energjisë ose që mrekullisht të zhduket kriza energjetike. E para është e papërballueshme e dyta është e pamundur”, tha ai.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të energjisë është kundërshtuar edhe nga disa organizata joqeveritare që merren me sektorin e energjisë të cilët thonë se me këtë vendim nuk do të tejkalohet kriza energjetike, me të cilën po përballet Kosova për shkak të mungesës së prodhimit të mjaftueshëm vendas për të mbuluar kërkesat në rritje.