Lidhje

Policia kanadeze shpërndan protestuesit në kufi me Shtetet e Bashkuara


Policia kanadeze u përpoq sot të shpërndajë protestuesit që bllokuan një nga urat në një pikë kalimi kufitar mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.

Protesta është bërë shkak për ndërprerje të tregtisë mes dy vendeve. Megjithatë disa kamionë vazhdojnë të qëndrojnë mbi urë duke bllokuar trafikun. Shumë nga protestuesit nisën të largohen me mbërritjen në vendngjarje të policisë, pak pas agimit. Drejtuesit e automjeteve e kishin kaluar natën në vendkalimin më të ngarkuar që lidh Shtetet e Bashkuara me Kanadanë, pavarësisht paralajmërimeve për t'i dhënë fund bllokimit që ka ndërprerë qarkullimin e mallrave mes dy vendeve dhe ka detyruar industrinë e automobilave nga të dyja anët e kufirit, të ndalë prodhimin.

Tre kamionë të mëdhenj dhe rreth 20 protestues vazhdojnë të bllokojnë trafikun.

Demonstruesit po protestojnë kundër urdhrave kufizues të Kanadasë të lidhura me COVID-19. Por protestat janë gjithashtu dhe një shprehje zemërimi ndaj Kryeministrit Justin Trudeau.

Në një kohë kur Kanadaja është përfshirë nga protestat kundër vaksinimit të detyruar, shumë nga masat e ndërmarra nga ky vend, të tilla si mbatja me detyrim e maskave apo pasaportat e vaksinave për hyrjen në restorante dhe teatro, tashmë po lehtësohen, ndërsa nivelet e infeksioneve me Omicron janë ulur.

Kanadaja ka zbatuar masa më të rrepta ndaj pandemisë krahasuar me Shtetet e Bashkuara, dhe ato janë mbështetur kryesisht nga kanadezët. Shumica dërrmuese e kanadezëve janë të vaksinuar dhe shkalla e vdekjeve nga COVID-19 është sa një e treta e atyre të shënuara në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG