Lidhje

Përgatitjet për “Superbollin”, ndeshjen finale të futbollit amerikan


FOOTBALL-NFL/
FOOTBALL-NFL/

Qyteti i Los Anxhelosit po përgatitet për njërën nga ngjarjet më të mëdha sportive vjetore në Shtetet e Bashkuara. Superbolli, ndeshja finale e kampionatit të futbollit amerikan mes ekipeve Los Anxhelos Rams dhe Sinsinati Bengals do të zhvillohet të dielën në Ingëlud të Kalifornisë, pranë Los Anxhelosit. Zëri i Amerikës bisedoi me disa banorë të zonës për të mësuar më shumë mbi përgatitjet që po bëhen për ndeshjen e së dielës.

Përgatitjet për “Superbollin”, ndeshjen finale të futbollit amerikan
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:50 0:00


Salloni i Martin Gonzalezit ndodhet pikërisht përballë stadiumit “SoFi”, ku do të luhet “Superbolli”, finalja e kampionatit të futbollit amerikan.


“Ne nuk punojmë të dielave dhe të hënave, por sigurisht që do të vij këtu vetëm për të parë këtë ngjarje! Pronari i kësaj zone po përpiqet të kërkojë pagesë për të parë lojën nga parkimi, kështu që do të jetë disi e vështirë për ne që të hyjmë këtu", thotë ai.


Banorë të tjerë të kësaj zone po japin me qira apartamentet e tyre përmes kompanisë “Airbnb” për qindra apo mijëra dollarë në ditë. Çmimet e pasurive të patundshme në Ingëlud, që ndodhet në periferi të Los Anxhelosit, ku ndodhet stadiumi, janë rritur në mënyrë dramatike në javët e fundit.


“Është qesharake, por i sjell më shumë vlerë qytetit. Ingëludi nuk ka qenë i njohur në të kaluarën, por tani është!”, thotë zoti Gonzales.


“SoFi” është stadiumi, ku i zhvillon ndeshjet ekipi Los Anxhelos Rams, i cili këtë vit arriti në finalen e kampionatit të futbollit amerikan. Në finale ai do të ndeshet me ekipin Sinsinati Bengals. Çmimi i një bilete për këtë ndeshje ka arritur deri në 60,000 dollarë, ndërsa parkimi pranë stadiumit do t'u kushtojë tifozëve nga 400 deri në 6000 dollarë.

Por çmimet e larta nuk e kanë zbehur entusiazmin për këtë ngjarje.

“Ky është aktiviteti i parë i madh në qiell të hapur prej një kohe shumë të gjatë. Për mua është shumë emocionuese të shoh rikthimin e këtyre ngjarjeve dhe jam shumë i lumtur që kjo po ndodh këtu. Kjo mund të lehtësoj një numër njerëzish që janë lodhur nga pandemia!”, thotë Dwight Evans, banor i Ingëludit.

Tifozët e futbollit që do të vijnë në Los Anxhelos do t’i sjellin rreth 500 milionë dollarë në fitime qytetit. Ky ka qenë një lajm i mirëpritur për bizneset vendase.

“Ne presim një turmë të madhe, shumë klientë! Kemi ëmbëlsira me limon, çokollatë, dhe lloje të tjera.Do të kemi shumë porosi! Do të jetë pak e lodhshme, por edhe emocionuese!”

“Do të jetë një fundjavë e ngarkuar për ne, kështu që ne jemi munduar të sigurojmë ushqim të mjaftueshëm për të gjithë klientët. Ne kemi punësuar katër kuzhinierë të tjerë, dy kamariere të reja dhe një banakier. Siç mund ta shihni, ne kemi shtuar kapacitetin jashtë lokalit dhe jemi të gëzuar që “Superbolli” do të zhvillohet këtu në Ingëlud”, thotë Liza Ruiz, punonjëse në restorantin “Wood Urban Kitchen”.

Qyteti i Ingëludit ka shtuar masat e sigurisë në pritje të një vale të madhe turistësh gjatë fundjavës. Pas mbarimit të pjesës së parë në ndeshjen e së dielës, do të ketë një shfaqje me këngëtarë të njohur si Eminem dhe Snoop Dogg.

Ndeshja do të transmetohet në nivel kombëtar dhe kompanitë do të paguajnë një çmim mesatar prej 6.5 milionë dollarësh për një reklamë 30 sekondëshe, rreth një milion dollarë më shumë se në “Superbollin” e vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG