Lidhje

Kosova shënon 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë


Kosova shënon 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë
Kosova shënon 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të policisë parakaluan të enjten në qendër të Prishtinës, në kuadër të manifestimeve me rastin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Përgjatë ditës udhëheqësit e institucioneve ngritën flamurin shtetëror, vunë kurora lulesh tek shtatoret e ish udhëheqësve politikë e ushtarakë të vendit dhe nderuan të rënët e të zhdukurit gjatë luftës së fundit.

Kosova shënon 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:14 0:00

Parlamenti i Kosovës u mblodh në seancë solemne për të shënuar këtë përvjetor, në të cilën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria e vendit ende nuk është përmbushur, pasi që ende mungojnë edhe mbi 1 mijë e 600 të zhdukur me dhunë, ndriçimin e fatit të të cilëve, tha ajo, po e mban peng Serbia.

“Por, një është e sigurt, që nuk do të pushojmë asnjë çast derisa familjet e tyre ta gjejnë qetësinë. E vërteta mund të vonohet, porse jo edhe të shmanget përjetësisht. Procesi i dialogut me Serbinë natyrisht që do të përfundojë me njohjen reciproke, siç edhe e përsëriti prapë presidenti Biden në urimin për 14 vjetorin e pavarësisë. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t'i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, e rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë. Tërësia territoriale e vendit tonë, sovraniteti e rendi ynë kushtetues janë të panegociueshme dhe të shenjta”, - tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se në këtë ditë Kosova nderon dhe falënderon të gjithë ata që u sakrifikuan për pavarësinë, ndërsa foli edhe për punën e qeverisë së tij që së shpejti mbush një vit.

“Ne jemi shtet demokratik. Kushtetuta jonë mbron lirinë e shprehjes e fjalën e lirë, njëjtë siç mbron lirinë dhe të drejtën e tubimit e të protestës. Si kryeministër i vendit e kuptoj dhe pranoj që njerëzit do të thonë lloj lloj gjërash çdo ditë për mua, dhe unë do të mbroj të drejtën e tyre për ta bërë këtë, sepse lufta jonë për liri nuk ishte luftë vetëm për t’u çliruar nga okupimi, por për të jetuar të lirë. Kemi luftuar që të mbrohet e drejta e secilit për të shprehur qëndrimet e saj e të tij edhe kur nuk pajtohemi me to, veçanërisht kur nuk pajtohemi. E megjithatë, për të ecur përpara, na duhet një mendim praktik - jo vetëm kritik. Duhet të pajtohemi e të gjejmë konsensus për gjërat më bazike. Pra, unitet, i cili nuk e pamundëson kritikën, si dhe kritikë, që nuk kalëron mbi unitetin”, - tha kryeministri Kurti.

Por, fjalimi i kryeministrit Kurti ngjalli pakënaqësi te partitë politike opozitare, të cilat braktisën sallën e parlamentit.

Ata kritikuan kryeministrin Kurti se e shfrytëzoi ditën më të rëndësishme të shtetit të Kosovës për qëllimet e tij.

Përvjetori i 14 i Pavarësisë së Kosovës po përshkohet me thirrjet për të gjetur një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në urimin e tij me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës tha se derisa Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërtimi i institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët kërkon këmbëngulje. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Në urimin e tij ai shkruan se Shtetet e Bashkuara presin që “Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ndërsa ritheksoi mbështetjen për bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Europian, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.

Kosova shpalli Pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime me Kosovën në këmbim të afrimit më strukturat europiane.

Por, edhe përvjetori i 14-të i Pavarësisë e gjen Kosovën të fundit në rajon në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në Europën Juglindore, që nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen.

XS
SM
MD
LG