Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë vendimin e parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta duke vlerësuar se ai nuk ka bërë shkelje kushtetuese. Socialistët të cilët ndërmorën nismën kundër tij, deklaruan sot se janë të bindur se Kreu i shtetit e ka shkelur Kushtetutën. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha tha se vendimiet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen. Nga ana e saj ambasada amerikane u shpreh se vendimet e kësaj pasqyrojnë pavarësi dhe integritet.
Gjykata kushtetuese, zgjodhi një orar të pazakontë, pak para mesnatës së mbrëmshme, për të bërë publik një nga vendimet ndoshta më të rëndësishëm të saj. Asnjëherë më parë kjo Gjykatë nuk ishte thirrur për të gjykuar mbi shkarkimin ose jo të presidentit të vendit.
Pas më shumë se 8 muajsh, dhe disa seancave publike, Gjykata bëri të ditur se kishte vendosur të rrëzonte vendimin e parlamentit, pasi në vlerësimin e saj nuk ka patur “shkelje të rënda të Kushtetutës”, për të cilat kreu i shtetit mund të largohej nga detyra.
Sipas socialistëve, nismëtarë të procesit për shkarkimin e presidentit, Kreu i Shtetit kishte shkelur disa nene të Kushtetutës, atë që e përkufizon figurën e tij si përfaqësues të unitetit të popullit, nenin që e ndalon ndër të tjera të jetë anëtar partie apo të kryejë veprimtari private, atë që i ndalon të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre të parashikuara nga Kushtetuta apo se kishte shkelur dhe betimin. Por në vlerësimin e gjykatës “faktet e paraqitura nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës”.
I vetmi reagim deri më tani nga presidenca, është ai i mbrëmshmi i zëdhënësit të kreut të shtetit, sipas të cilit vendimi i gjykatës nuk përbënte “asnjë surprizë”, pasi “kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar”.
Duke folur sot në parlament kryetari i grupit socialist Taulant Balla, i cili mori pjesë vetë në seancat publike të Gjykatës tha se “në vlerësimin tonë presidenti në largim, Ilir Meta, e ka shkelur Kushtetutën. 150 ditët e mbetura në këtë detyrë nuk ja zhbëjnë dot figurën e tij qesharake si president i Republikës. Ilir Meta do të iki pas 150 ditësh. Mirë do të kishte qenë të kishte ikur që sot”. Sipasi zotit Balla vendimi i Gjykatës rrëzon akuzat e përsëritura ndaj shumicës se ajo po kontrollon pushtetin gjyqësor.
Kryetari demokrat Lulzim Basha, prej muajsh në një përplasje të hapur me zotin Meta, evitoi të shprehej “sepse nuk është një vendim i cili komentohet”
Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i cili po kalon një tjetër periudhë marrëdhëniesh të ngrohta me zotin Meta, deklaroi se kishte qenë i bindur se nuk kishte patur asnjë lloj shkelje nga ana e presidentit dhe se sipas tij “në vendimin kryesor duhet të kishte vetëm një pikë: Dënoj parlamentin për vendimin e tij antidemokratik, antikushtetues, antiligjor”. Zotit Berisha tha se Gjykata dëshmoi varësi nga politike duke mos dënuar falsifikimin që sipas tij parlamenti i kishte bërë akteve që lidheshin me procesin e shkarkimit të zotit Meta.
Vetë presidenti javën e shkuar kallëzoi në prokurori parlamentin, lidhur me urdhërin për thirrjen e seancës së datës 7 maj 2021, të parlamentit, ku iu hap rruga procesit për shkarkimin e Kreut të Shtetit. Shkresa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kur seanca publike për këtë çështje ishte drejt fundit, rezultonte të kishte ndryshime në datë dhe në përmbajtje, nga ajo që është publikuar në faqen zyrtare të parlamentit.
Gjatë procesit, këshilltarët ligjorë të Kreut të Shtetit e mbështetën në mënyrë të veçantë mbrojtjen e tyre, pikërisht te shkeljet e rënda proceduriale që sipas tyre ishin kryer nga parlamenti që nga momenti i shqyrtimit të kërkesës së deputetëve që vunë në lëvizje parlamentin deri në marrjen e vendimit. Por në njoftimin e Gjykatës, shpjegohet se as “gjatë kësaj procedure nuk janë konstatuar shkelje kushtetuese”.
Përtej vlerësimeve dhe opinioneve të ndryshme mbi vendimin, ambasada amerikane në Tiranë u shpreh se “Gjykata Kushtetuese, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi to dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet”.