Lidhje

Eksploruesi miliarder i hapësirës ndër 50 donatorët kryesorë në SHBA


Jared Isaacman
Jared Isaacman

Miliarderi Jared Isaacman hyri në histori kur bëri fluturimin e parë civil në hapësirë vitin e kaluar. Misioni i tij Inspiration4 mblodhi 243 milionë dollarë për një spital fëmijësh dhe e vendosi atë në listën e 50 donatorëve më të mëdhenj të revistës Chronicle of Philanthropy.

Një mision në hapësirë – për të mbledhur para për bamirësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:08 0:00

Një mision në hapësirë – për të mbledhur para për bamirësi.

Miliarderi Jared Isaacman hyri në histori dhe përmbushi një ëndërr fëmijërie në shtator, kur fluturoi në hapësirë me tre pasagjerë të tjerë me një anije të kompanisë SpaceX.

Misioni Inspiration4, fluturimi i parë në hapësirën orbitale me një ekuipazh pasagjerësh jo astronautë, mblodhi 243 milionë dollarë për Spitalin Kërkimor të Fëmijëve St. Jude.

"Duke pasur parasysh që ishte misioni i parë civil në hapësirë, ndjeva se mund të mblidhnim shumë fonde dhe të sillnim ndërgjegjësim për disa nga problemet reale që kemi këtu në Tokë. Njerëzit duhet ta dinë se nuk po i injorojmë vështirësitë e sotme në mënyrë që të mund të bëjmë përparim për nesër. Dhe më pas Spitali i Fëmijëve St. Jude u bë përfituesi i bamirësisë", thotë zoti Isaacman.

Themeluesi dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Shift4 Payments, Isaacman dhuroi 125 milionë dollarë për spitalin kërkimor dhe 20 milionë dollarë të tjerë për fondacione të tjera.

Bujaria e tij e vendosi atë në listën e 50 filantropëve më të fuqishëm, sipas revistës Chronicle of Philanthropy për vitin 2021.

Disa amerikanë kontribuan më shumë se 1 miliard dollarë vitin e kaluar.

Në krye të listës janë Bill Gates dhe Melinda French Gates, të cilët dhuruan 15 miliardë dollarë për Fondacionin Bill & Melinda Gates, një organizatë e rëndësishme për shëndetin global dhe arsimin amerikan.

Në total, 50 filantropët më të fuqishëm dhanë gati 28 miliardë dollarë për bamirësi, me nivelin mesatar të dhënies pak më shumë se 100 milionë dollarë.

Por disa ekspertë të filantropisë argumentojnë se dhuratat e mëdha që u dhanë shumë miliarderëve një vend në listën e këtij viti nuk janë aq mbresëlënëse po të merret parasysh se shumë prej këtyre donatorëve kanë parë pasurinë e tyre të rritet me dhjetëra miliarda dollarë në vitet e fundit.

"Disa donatorë rritën shumën që dhanë krahasuar me të kaluarën. Dhe kjo vazhdon të ndodhë kryesisht sepse pasuria e tyre është rritur gjatë pandemisë," thotë Jim Ferris, drejtor i Qendrës USC për Filantropinë dhe Politikat Publike.

Michael Bloomberg, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe themeluesi i kompanisë Bloomberg News, dha 1.7 miliardë dollarë për artin, arsimin, mjedisin dhe kauza të tjera.

Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg dhe gruaja e tij, Priscilla Chan, dhuruan 1.05 miliardë dollarë për të forcuar Fondacionin e tyre Chan Zuckerberg dhe një fond të këshilluar nga donatorët.

Por kjo renditje nuk duhet të lërë në hije donatorët më të vegjël të pranishëm kudo në SHBA.

"Nëse shkon në komunitete të ndryshme në të gjithë vendin, ka shumë pasuri dhe njerëz që bëjnë bamirësi në Cleveland, New Orleans apo Atlanta dhe ata nuk shfaqen domosdoshmërisht në listat e 50 filantropëve më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara," thotë zoti Ferris.

Një raport i vitit 2018 nga kompania Bridgespan zbuloi se familjet e pasura amerikane, ato me 500 milionë dollarë ose më shumë, dhuruan vetëm 1.2 për qind të pasurisë së tyre për bamirësi në vitin 2017.

Gjysma e donatorëve në listën e 50 filantropëve më të fuqishëm e bënë pasurinë e tyre në financë ose në teknologji, kështu që nuk është për t'u habitur që shteti i Uashingtonit dhe Kalifornia, qendrat teknologjisë në Seattle dhe Silicon Valley, morën pjesën më të madhe të donacioneve.

"Unë absolutisht besoj në bamirësi, dhe në vitin e fundit, kam dhënë 10 për qind të pasurisë që kam grumbulluar dhe dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Ne të gjithë kemi detyrimin ta lëmë botën një vend më të mirë se sa e gjetëm. Dhe disa prej nesh janë në gjendje të bëjnë më shumë dhe duhet të bëjmë më shumë", thotë zoti Isaacman.

Renditja e revistës The Chronicle bazohet në shumën totale që filantropët dhanë ose premtuan në vitin 2021.

Informacioni bazohet në hulumtime të gjera me donatorët, përfituesit e tyre dhe të dhënat publike.

XS
SM
MD
LG