Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëshmoi të mërkurën para komisionit hetimor parlamentar mbi procedurat ligjore për tre impiantet e mbetjeve urbane janë zbatuar plotësisht.
Ai theksoi gjatë dëshmisë para komisionit hetimor se qeveria ka financuar në ndërtimin e impianteve të Elbasanit dhe Fierit rreth 55 milionë euro, ndërsa administrata dhe ministrat kanë zbatuar ligjet dhe rregulloret.
Opozita kërkoi hetime për ndërtimin e 3 impianteve në kryeqytet, Elbasan dhe Fier, pas dyshimeve se ishin kryer shpërdorime në miliona euro me fondet publike.
Kryetarja opozitare e komisionit hetimor, Jorida Tabaku, tha gjatë dëshmisë së kryeministrit Rama se “kompanitë private të tre incineratorëve u zgjodhën dhe u financuan përmes shkeljeve ligjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financave publike përmes korrupsionit”.
Por zoti Rama theksoi se kryetarja e komisionit po shkelte ligjin me pyetje që paragjykonin çështjen dhe formësonin një opinion të gabuar ndaj ecurisë së procedurave, duke përsëritur se bëhej fjalë për një aferë korruptive me abuzime në disa qindra milionë euro.
Në serinë e dhjetëra pyetjeve nga komisioni hetimor, kryeministri Rama theksoi se ndërtimi i tre impianteve për trajtimin e mbetjeve urbane për qarqet Tiranë, Elbasan dhe Fier është një punë për t’u krenuar, ku jo vetëm nuk janë shkelur ligjet dhe procedurat, por madje këto zona janë tani shumë herë më të pastra nga emergjenca mjedisore e disa viteve më parë.
Zoti Rama tha se “qeveria ka paguar 55.3 milionë euro për ndërtimin e impianteve të Elbasanit dhe Fierit, po nuk ka paguar dhe aq më pak nuk ka abuzuar me 430 milionë euro”.
Zoti Rama tha se BE flet për nivelin e ulët të riciklimit të mbetjeve dhe se inicineratorët nuk janë zgjedhja më e pëlqyer, por BE nuk është kundër ndërtimit të incineratorëve.
Kryeministri Rama tha se “nuk ishte detyrë e tij ndjekja e procedurave ligjore, por ishte i bindur që ato ishin në rregull, se besonte tek ministrat dhe administra”, duke shtuar se “kushdo që mund të ketë abuzuar me ligjet dhe me fondet duhet të japë llogari personalisht”.
Parlamenti me komisionin hetimor dhe prokuroria e posacme kundër krimit dhe korrupsionit po hetojnë paralelisht dyshimet për korrupsion gjatë ndërtimit të 3 incineratorëve në Tiranë, Fier dhe Elbasan.
Ish ministri i mjedisit, Lefter Koka, është arrestuar nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion me rryshfete deri n 3.7 milionë euro dhe pastrim parash.