Lidhje

Sulmi rus në Ukrainë, Tirana: BE të përshpejtojë integrimin e Ballkanit


Sulmi rus në Ukrainë, ministrja e jashtme shqiptare takim me ambasadorët në Tiranë

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka kërkoi të martën një vëmendje më të madhe të Bashkimit europian ndaj Ballkanit perëndimor, dhe përshpejtim të procesit të integrmit europian të këtij rajoni, nën dritën e agresionit rus në Ukrainë. Në një takim të zhvilluar me përfaqësuesë të trupit diplomatik në Tiranë, zonja Xhaçka ta se “si një rajon që është parë prej kohësh nga Rusia si një një zonë e pambrojtur nga BE ndaj sulmeve, si një rajon që ka përjetuar ndërhyrjen ruse dhe përpjekjet për të fermentuar tensionet dhe konfliktet, ne ndjehemi të shqetësuar për cfarë po ndodh”.

Ministrja e jashtme shqiptare kujtoi se “për një kohë të gjatë ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë, veçanërisht në BE, të jenë më strategjikë në marrëdhëniet e tyre me Ballkanin Perëndimor. Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit”.

Zonja Xhaçka u shpreh se shpreson se “pas pasojave të cenimit të Ukrainës diçka do të ndryshojë në dinamikën e marrëdhënieve mes nesh. Se do të ketë më shumë fokus dhe më shumë urgjencë për të ecur përpara me procesin e integrimit dhe mbi të gjitha për të ecur përpara dhe për t'u përballur me çdo përpjekje ruse për të fermentuar telashet”.

Ajo u shpreh e kënaqur nga mënyra e reagimit të Bashkimit europian për çështjen e Ukrainës “sepse e di se nëse BE-ja është e bashkuar dhe e përkushtuar, nëse tregon të njëjtën vendosmëri siç po tregon në mbështetje të Ukrainës tani, rajoni ynë, Ballkani Perëndimor nuk do të jetë më i prekshëm ndaj përpjekjeve për të nxitur telashe dhe grindje dhe do të përfitojë siguria e Evropës në tërësi”.

Shqipëria ju bashkua pa asnjë hezitim sanksioneve që Bashkimi europian ndërmori ndaj Rusisë dhe po plotëson bazën ligjore për zbatimin e këtyre masave. “Rusia zgjodhi të shkojë në luftë dhe unë besoj fuqimisht se ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë këtë zgjedhje të tmerrshme sa më të kushtueshme për Rusinë që të mundemi”, u shpreh zonja Xhaçka.

Nga mesnata e së dielës, hapësira ajrore e Shqipërisë është mbyllur për operatorët rusë dhe çdo avion të rregjistruar në Rusi, ndërsa ekipet shqiptare nuk do të pranojnë asnjë përballje sportive me skuadrat e Federatës Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës. Në lidhje me politikën e vizave ndaj Rusisë, ministrja Xhaçka bëri të ditur se “po shqyrtojmë anulimin e të gjitha marrëveshjeve për lëvizjen e diplomatëve dhe zyrtarëve rusë dhe biznesmenët”. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare brenda mundësive të saj, po punon për ofrimin e ndihmave në materiale ushtarake dhe spitalore, për Ukrainën.

Të martën presidenti Ilir Meta, i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të ndjekin nismën e ndërmarrë nga Kryqi i Kuq shqiptar, “për të mbledhur ndihma në mbështetje të popullit ukrainas që po lufton heroikisht në çdo qytet, lagje e rrugë. Humanizmi dhe solidariteti njerëzor janë tipare të çmuara të kombit tonë”, nënvizoi presidenti Meta.

Në mbrëmje, kreu i Shtetit përshëndeti rezolutën e parlamentit europian “që dënon qartë dhe pa ekuivok agresionin rus kundër Ukrainës. Përshëndes vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian edhe ndaj rajonit tonë, çka duhet të na shtojë vigjilencën ndaj çdo tentative për destabilitet nga aktorë jomiqësorë”, shkroi zoti Meta në mesazhin e tij, ndërsa i bëri thirrje parlamentit shqiptar “që përmes një rezolute të shprehë qartë dhe pa vonesë vullnetin e tij kundër pushtimit të Ukrainës, ngjashëm me vendet e tjera të NATO dhe BE”.

XS
SM
MD
LG