Lidhje

Hetime për krime lufte në Ukrainë


Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar një ekip paraprak në Ukrainë për të filluar hetime për krime të mundshme lufte. Ukraina thotë se që kur Moska filloi agresionin, mijëra civilë kanë humbur jetën. Ish-ambasadori amerikan për krime lufte, David Scheffer i thotë Zërit të Amerikës se Gjykata ka autoritet të gjerë për hetimin për krime lufte.

Hetime për krime lufte në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Siç njofton kolegia Keida Kostreci, para se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të votonte këtë javë me shumicë dërrmuese për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya akuzoi Moskën se do që t’i heqë vendit të tij të drejtën për të ekzistuar.

"Duket qartë se synimi i Rusisë nuk është vetëm pushtimi, është genocidi”, tha ai.

Disa orë pas seancës, Zyra e Prokurorit të Lartë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, njoftoi se do të hetonte në terren për krime të mundshme lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid nga të gjitha palët në konflikt.

"Çdo palë që vë në shënjestër drejtpërdrejt, civilë ose objekte civile është duke kryer një krim sipas Statutit të Romës dhe sipas ligjit ndërkombëtar humanitar", thotë Prokurori i lartë i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

39 vende i kanë kërkuar zyrës së Prokurorit Khan të fillojë të hetojë, mes së cilave edhe Britania.

“Ajo që kemi parë tashmë nga regjimi i Vladimir Putinit, me përdorimin e municioneve ndaj civilëve të pafajshëm, për mendimin tim kualifikohet plotësisht si krim lufte”, tha kryeministri Boris Johnson në parlament.

David Scheffer, ambasadori i parë amerikan për krimet e luftës që shërbeu në vitet 1997-2001 thotë për Zërin e Amerikës, se mbështetja e gjerë e shprehur nga kërkesa e 39 vendeve i jep zotit Khan një autoritet të madh për të hetuar.

“Ai ka tani autoritet të plotë. Ajo që është interesante me rastin e Ukrainës, është se ai (prokurori Khan) mund të dërgojë ekipe në territorin e saj, gjë që është tepër e rëndësishme sepse një pjesë e madhe e tij është nën kontrollin e forcave ukrainase dhe popullit ukrainas. Pra, është një regjistrim dhe dokumentim në kohë reale i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, thotë zoti Scheffer, aktualisht studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

Moska nuk e njeh Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Por Ukraina, megjithëse nuk është pjesë e saj, nënshkroi një deklaratë në vitin 2014 duke i dhënë gjykatës juridiksionin mbi krimet e dyshuara të kryera në territorin e saj nga viti 2014 e më tej, pavarësisht nga kombësia e autorëve.

Zoti Scheffer paralajmëron se procesi i drejtësisë penale ndërkombëtare mund të jetë i gjatë, por se duke pasur parasysh provat e shumta dhe se zinxhiri i komandimit deri tek Vladimir Putini është i njohur, aktakuzat mund të vijnë edhe më shpejt. Ai thotë se kjo mund të sjellë një reagim të brendshëm, siç ndodhi me Millosheviçin.

“Askush nuk do që të merret me një kriminel lufte dhe në fakt ky është një rregull i OKB-së. Nuk negociohet me një kriminel lufte. Ata janë persona non grata. Dhe kështu mund të ketë atë lloj efekti të menjëhershëm të delegjitimimit të udhëheqjes së Rusisë për vrasjen pa dallim dhe të paligjshme të civilëve”, thotë ai.

Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Gjykatës me 123 vende, por zoti Scheffer thotë se ndër vite, ato kanë bashkëpunuar me të. Ai shton se ndihma më e madhe që mund t’i japin gjykatës Shtetet e Bashkuara, është të përdorin forcën e sanksioneve.

“Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë të mos lejojnë heqjen e tyre derisa të paditurit për krime lufte t'u dorëzohen gjykatave penale, qofshin ato kombëtare, apo ndërkombëtare, ashtu siç Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të hiqnin sanksionet kundër Serbisë, derisa Millosheviçi, Mlladiçi dhe Karaxhiçi të dorëzoheshin në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Hetimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale u mbështet edhe në Kongresin amerikan ku senatori republikan Lindsey Graham dhe anëtarja republikane e Dhomës së Përfaqësuesve, Victoria Spartz, e vetmja ukraino-amerikane në Kongres thanë se do të paraqesin një rezolutë duke kërkuar që Vladimir Putin të hetohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

XS
SM
MD
LG