Lidhje

Shqipëri, rrugëtim i vështirë i grave drejt barazisë gjinore


Në prag të ditës ndërkombëtare të gruas, 8 marsit, në Shqipëri studiues, gra sipërmarrëse dhe zyrtarë thonë se në 3 dekadat e fundit janë bërë disa përparime në drejtim të barazisë gjinore, por nënvizojnë se ato janë të pamjaftueshme. Gratë sipas statistikave janë në pozita më të pafavorshme se burrat në tregun e punës edhe pse janë më të arsimuara se ata. Autoritetet nënvizojnë se janë miratuar strategji të posaçme që i vijnë në ndihmë forcimit të rolit të gruas në shoqëri duke i kushtuar vëmendje kryesisht forcimit ekonomik të saj.

Shqipëri, rrugëtimi i vështirë i grave drejt barazisë gjinore
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:57 0:00

Në Shqipëri gratë përbëjnë më shumë së gjysmën e popullisë së vendit prej afro 2 milionë e 800 mijë banorë. Statusi i tyre në shoqëri gjatë 3 dekadave të fundit ka ardhur duke u përmirësuar, por autoritetet dhe përfaqësues të grupimeve të ndryshme që mbrojnë të drejtat e grave nënvizojnë se ende mbetet shumë për të bërë. Sipas statistikave zyrtare gratë e grupmoshës 15 deri në 65 vjeç janë më të arsimuara se burrat e së njëjtës grupmoshë në arsimin e detyrueshëm dhe atë të lartë, por nga ana tjetër kanë më pak akses në tregun e punës. Shkalla e punësmit të tyre është 52.3% kundrejt afro 70% të shkallës së punësimit të burrave. Këto janë tregues që e vënë gruan në pozita të pafavorshme në tregun e punës. Studiuesja Nevila Xhindi i sheh këto të dhëna të lidhura me edhe me terrenin kulturor në Shqipëri.

“Të gjitha duhen parë në një aspekt kulturor. Ne nuk mund ta evitojmë faktin se burri i shtëpisë është ai, që mendohet të sjellë paratë në shtëpi. Që duhet të ketë një punë të sigurt, sepse kjo i jep automatikisht atributet e një njeriu me vlera në shtëpi. Kjo është kulturore, nuk e zhbëjmë dot. Kjo vazhdon të jetë dhe në nënvetëdijen e një punëmarrësi. Gjithmonë e spostojmë dhe në punë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi, studiuese.

Sot në Shqipëri, politikat qeveritare synojnë fuqizimin e gruas në disa drejtime, por veçanërisht në ekonomi. Përqindja e grave pronare dhe administratore ka pësuar rritje të lehtë vit pas viti dhe sot është 25.5%, por rrugëtimi i grave në sipërmarrje dhe konkurimi në tregun e lirë me pronarët burra ka qenë i vështirë, si pasojë e mentalitetit por dhe i disa politikave të munguara shtetërore ndër vite. Ja si i kujton fillimet e saj në biznes sipërmarrësja Mimoza Petani, e cila ka themeluar dhe drejton prej 25 vitesh një kompani parafarmaceutike.

“Të jesh një femër në biznes shumë e vështirë. Jam ndër të parat që i kam hyrë kësaj rruge. Një femër është bashkëshorte, nënë, duhet të mbajë shtëpinë, të kujdeset për fëmijët. Më kujtohet një moment kur bëja zhdoganimin e mallit në doganë. Isha në mes të burrave. Edhe ai vështrimi, kur të gjithë të shohin ty, të bezsdis. Hap pas hapi e kam ndjerë pengesën. Mbaj mend që u bllokua kamioni vetëm nga biznesi im, sepse isha femër duhej bërë një kontroll i imtësishëm dhe të gjithë më shikonin me habi. Është e vështirë, por me kalimin e kohës ti forcohesh”- tha për Zërin e Amerikës Mimoza Petani, pronare e kompanisë “Erbasol shpk".

Ndërsa një tjetër sipërmarrëse, prej 30 vitesh, Mimoza Vojka Emanuel, kompania e së cilës prodhon veshje të personalizuara kryesisht sportive për tregun francez, hollandez, belg dhe anglez, sjell një shembull tjetër të ballafaqimit me zyrat e shtetit ndër vite.

“Do kujtoj vitet e para që kam filluar biznes. Isha një vajzë shumë e re. Në atë kohë punonjësit në zyrat e shtetit, ishin shumë më dashamirës. Po shumë pak vite pas kësaj gjërat ndryshuan në mënyrë tërësore. Nuk të shikonin më si qenie, apo si sipërmarrëse, por si një person, me atë idenë 'se çfarë duhet t’i marr këtij personi për të arritur qëllimin'. Unë i kam parë këto si proçes të rritjes të biznesit dhe të shtetit. Por mendoj se tani gjërat po vijnë në përmirësim. Ndoshta jo në atë pritshmëri që ne kishim, para 30 vitesh, por ka shenja përmirësimi”- tha për Zërin e Amerikës Mimoza Vojka Emanuel, sipërmarrëse e “Kompanisë Sam”.

Autoritetet zyrtare thonë, se në kuadër të barazisë gjinore është miratuar një strategji 10 vjeçare 2021-2030, që synon mes të tjerash dhe fuqizimin ekonomik të gruas. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se fokusi janë gratë në zonat rurale, aty ku problemet ekonomike dhe sociale janë më të mprehta.

“Po i jepet vëmendje e veçantë dhe mbështetjes së gruas sipërmarrëse përmes fondeve të dedikuara, të programit të aftësimit profesional, të fokusuar në zonat rurale, aty ku merr një rëndësi të veçantë rritja e kapaciteteve të grave. Kjo arrihet përmes granteve të ndryshme për biznese, agrobiznese dhe elementë të tjerë që kanë lidhje me linjat e prodhimit ku mbështeten gratë. Është rritur përqindja e grave administratore dhe pronare, krahasuar me një vit më parë, edhe pse me 0.1% pikë përqindje është një hap përpara. Ka një forcim të statusit të gruas si sipërmarrëse dhe pronare, në biznese që kanë lidhje me shërbimet dhe që kap shifrën 33.7%, ndërsa mbetet punë për të bërë për gruan si sipërmarrëse apo pronare në linjat e prodhimit, pasi përqindja është 13.7. Në këtë drejtim duhet ta fuqizojmë gruan më tej”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Zonja Mananstirliu veçoi si arritje dhe klasifikimin në vendin e 25 të Shqipërisë ndër 156 vende, në indeksin global të Forumit Ekonomik në lidhje me fuqizimin politik të gruas. Ajo nënvizoi se janë përmirësuar treguesit e gruas në vendimarrje politike dhe se 70% e ministrave dhe 44% e këshilltarëve bashkiakë janë gra.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke ju referuar pozitave jo shumë të favorshme të grave në raport me burrat në tregun e punës, thotë se shteti duhet të forcojë shërbimet për familjen dhe veçanërisht për gruan që krahas rolit të saj në familje ajo të jetë aktive dhe në punë.

“Cila është arsyeja që punësohen më shumë burra se gra? Ajo është mëmësia. Punëdhënësi mendon kjo është grua, nesër do mbetet shtatzënë, ose është me fëmijë. Nuk ta thotë në sy, që nuk të marr në punë për këtë arsye, por gjen mënyra tjera për të të skualifikuar dhe merr burra, se ata nuk i kanë këto impenjime. Duke forcuar shërbimet për gratë dhe familjen ne ndihmojmë gratë të jenë aktive në tregun e punës”- tha për Zërin e Amerikës Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Edhe hendeku gjinor në paga për të njëjtën punë kryesisht në sektorin ekonomik vijon të mbetet shqetësim. Ai është ulur me 3.5% pikë përqindje vitet e fundit, por sërish mbetet i lartë 6.6%. Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi denoncimet për çështje gjinore janë të ulëta rreth 15 në vit. Fenomenet sipas tij ekzistojnë por nuk denoncohen. Zyrtarët vënë theksin tek rritja e monitorimit nga institucionet shtetërore si Inspektoriati i Punës dhe motivimi i grave për të raportuar diskriminimin gjinor në vendin e punës. Edhe përfaqësuese të grave sipërmarrëse nxisin gjithashtu fuqizimin e zërit të gruas në vendin e punës.

“Gratë sidomos në zonat rurale kanë frikë të ankohen se mund t’i heqin nga puna. Nuk lobohen të gjitha gratë e punësuara. Mbaj mend para pak kohësh, disa gra në një fasoneri u mblodhën të gjitha dhe i thanë pronarit- 'ne nuk duam të dalim ditën e dielë në punë, se kemi familje'. Kur shkuan vetëm sejcila u pushuan nga puna, nuk ja dolën. Kur u grupuan të gjitha bashkë arritën ta bindin pronarin, dhe e bënë pushim ditën e dielë. Ja si arrihet puna kur jemi të gjitha bashkë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Albana Laknori, Sekretare e Përgjitshme e Dhomës së Tregëtisë dhe Indutrisë, Tiranë.

Roli i gruas në shoqëri ka ardhur duke u forcuar në vijimësi, por sërish sfidat mbeten të shumta. Përfaqësues të shoqërisë civile, gra të botës së biznesit dhe zyrtarë ndajnë të njëjtin mendim, kur thonë se rruga drejt barazisë gjinore, kalon përmes arsimimit, dijes dhe fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave.

XS
SM
MD
LG