Lidhje

Boga dhe turizmi malor në veri të Shqipërisë


Piktori Skënder Strica udhëton drejt Bogës, një fshat ky malor që gjendet në mes të rrugës që shkon nga Razma drejt Thethit. Gjatë dhjetë viteve të fundit, ai ka shkelur gjithë zonën e Alpeve duke pasqyruar madhështinë dhe bukurinë e tyre në më shumë se 150 peisazhe. Pikturat e tij tashmë gjenden në shumë prej bujtinave dhe hotelerive të zonës. Piktori Strica thotë se Alpet janë pasioni i tij:

Boga dhe turizmi malor në veri të Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:09 0:00

“Kjo pikë, ku jemi sot, është ndër më të bukurat dhe ndër më të veçantat e Bogës. Quhet Okoli i Bogës ose Fusha e Bogës. Ka një mal të mrekullueshëm përpara, ka fushën e Bogës që më jep ndjesinë e madhështisë së maleve të veriut, madhështi që të frymëzon dhe të bën ta pikturosh jo vetëm një herë në sezone, në kohë dhe momente të ndryshme”.

Boga është një fshat i vogël në Malësi të Madhe me rreth 65 shtëpi. Një pjesë e të rinjve kanë emigruar vitet e fundit, por ka prej atyre që janë kthyer duke investuar në agroturizëm dhe ngritjen e bujtinave. 25 vite më parë, Gëzim Olaj emigroi në Angli bashkë me familen, por tashmë është kthyer në vendlindje duke investuar në agroturizëm. Kulla dhe Buni i Bajraktarit janë dy nga investimet më të rëndësishme në të gjithë pjesën shqiptare të Alpeve.

Boga, për momentin, mendoj ka nevojë për rreth 300-400 dhoma në këtë moment, kjo për të plotësu kërkesat e të huajve, por edhe të shqiptarëve që po vizitojnë Bogën. Pra, Bogën e kemi futë në hartë dhe Boga ka nevojë edhe për investitorë të tjerë. Boga ka nevojë edhe për dhjetë hotele të tjera si hoteli që unë kam ndërtu, për të rritë kapacitetet, sepse ka kërkesa të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Në zonën malore në veri të Shqipërisë, banorët e Valbonës, Vermoshit, Lëpushës, Razmës, Bogës apo Thethit, gjithnjë e më shumë po i drejtohen ngritjes së bujtinave mikpritëse. Alpinisti i njohur, Përparim Laçi, që drejton Unionin Turistik të zonës veriore, thotë se ngritja e këtyre bujtinave po i jep zhvillim turizmit malor në zonën e Alpeve.

Turizmi po vjen e shpërngulet nga bregdeti në Alpe, për të shiku Alpet, vendet malore, ku të ofrohen shumë gjëra; ajri i jashtëzakonshëm me ushqimin tradicional dhe me bujarinë dhe mikëpritjen që të japin pothuaj të gjitha zonat malore dhe malësorët në çdo pikë që të shkosh”.

Boga është stacioni i parë në udhëtimin drejt Thethit. Banori i Bogës, Luigj Gega, thotë se interesimit të banorëve për të investuar në agroturizëm duhet t’i përgjigjet edhe qeveria me përmirësimin e infrastrukturës, e cila vazhdon të jetë problematike.

Ky zhvillim, që ka fillu të marrë fshati jonë, ka nevojë që të rikonstruktohet ujësjellësi, rruga edhe rrjeti elektrik, i cili është në gjendje shumë të dobët. Ka nevojë edhe për mbështetje financiare me kredi të buta, që të ketë frymëmarrje për këto biznese”, thotë ai.

Pjesa më e madhe e fshatrave, që shtrihen në zonën e Alpeve të Shqipërisë, kanë një potencial të madh dhe thuajse të pashfrytëzuar në agroturizëm. Ndaj, vrulli që po shfaqet kohët e fundit për të investuar, si nga banorët vendas, ashtu edhe nga investitorë të tjerë, po shoqërohet me shqetësimin në rritje mbi cilësinë e këtyre investimeve dhe përshtatshmërinë e tyre me traditën vendase.

Boga ka një të ardhme të jashtëzakonshme në rast se investohet me rregulla, në rast se ndërtohet me kritere, në rast se nuk abuzohet me natyrën. Kjo është më e rëndësishmja. Nëse gjithçka shkon në sinkron me natyrën, në rast se nuk bëhen ndërtesa shumëkatëshe, që me abuzu me ndërtimet. Deri tani duken në rregull dhe shpresoj të mos ndodhë si ka ndodh në vende të tjera që, në male, me u ba ndërtesa 5-6-7 katëshe, të cilat nuk i shkojnë malit, nuk i shkojnë Alpeve”, thotë zoti Olaj.

XS
SM
MD
LG