Lidhje

Shqipëri, PS fiton në 5 bashki, kandidati i Berishës merr Shkodrën, rënie e fortë e PD


Shqiperi, zgjedhjet e pjesshme vendore, procesi i numërimit
Shqiperi, zgjedhjet e pjesshme vendore, procesi i numërimit

Në Shqipëri, Partia Socialiste arriti të fitojë 5 nga 6 bashkitë ku dje u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore. Përfaqësuesit e saj marrin kështu drejtimin e Vorës, Rrogozhinës, Lushnjes, Dibrës, por dhe Durrësit. Në Shkodër, në krye, të bashkisë shkon Bardh Spahia, kandidati i ish kryeministrit Sali Berisha. Përfaqësuesit e këtij të fundit, në bashkitë e tjera përveç Rrogozhinës, arritën të siguronin ndjeshëm, më shumë vota se ata të Partisë Demokratike të kryetarit Lulzim Basha, sipas të cilit votimet e djeshme ishin pjesë e anormalitetit zgjedhor që qytetarët, siç u shpreh ai e kishin braktisur me pjesmarrjen e tyre të ulët.

Shqipëri, PS fiton në 5 bashki, Berisha udhëheq në Shkodër, rënie e fortë e PD
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Zgjedhjet e së dielës, ndonëse vendore dhe të pjesshme, tërhoqën vëmendjen duke qenë se në një farë mënyre përfaqësonin një lloj testi elektoral. Nga njëra anë për socialistët, që kanë hyrë në mandatin e tyre të tretë. Nga ana tjetër, dhe më së shumti, për Partinë Demokratike e cila prej muajsh po përjeton përçarjen e saj më të madhe, pasi ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, nisën një lëvizje për të marrë drejtimin e kësaj force politike, dhe u përfshinë në garë me kandidatë të tyre, ndonëse formalisht nën koalicionin "Shtëpia e lirisë", që mbante siglat e LSI-së dhe PDK-së.

Socialistët arritën të konfirmoheshin në krye të 5 nga 6 bashkive në garë, me përjashtim të Shkodrës, një bastion i së djathtës, që mbeti i tillë pavarësisht krisjes në PD. Në të 5 bashkitë ku fituan, socialistët kanë siguruar më shumë se 58 përqind të votave, pra më tepër edhe se sa shumatorja e votave të dy kandidatëve të tjerë të së djathtës. Një tregues i faktit se përçarja e Partisë Demokratike, duket se ka dhënë një tronditje të fortë në gjirin e mbështetësve të saj, një pjesë e të cilëve mund të kenë zgjedhur të mos dalin fare në votime. Gjë e cila mund të shpjegojë në një farë mase dhe pjesmarrjen e ulët.

Nga ana tjetër, rezultati i ka dhënë një goditje kryetarit demokrat Lulzim Basha. Përveç Rrogozhinës, apo dhe Dibrës ku kandidati i saj u nda me një diferencë shumë të ngushtë me përfaqësuesin e ish kryeministrit Berisha, në të gjitha bashkitë e tjera, diferenca ka qenë e thellë në disfavor të Partisë Demokratike. Ndërkohë që në Shkodër, Bardh Spahia, kandidati i zotit Berisha, arriti të fitojë, duke ruajtur tendencën historike të votës së këtij qyteti.

Por pavarësisht rezutati, zoti Basha tha sot se “nuk ka shqiptar që nuk e kupton që 6 Marsi nuk është një normalitet, por është një anormalitet i një anormaliteti. Asgjë s’ka ndryshuar në raport me krimet zgjedhore të 25 prillit tashmë të dokumentuara nga raporti i OSBE-OHDIR-it, jo thjesht nga denoncimet e opozitës, përkundrazi problemet janë thelluar. Me mospjesëmarrje të madhe, me një numër do të thoja rekord të ulët votuesish, ky është tashmë një fakt që qytetarët që këto 6 bashki e braktisën procesin zgjedhor. E braktisën sepse nuk kishte asnjë garanci shtesë”

Por shifrat tregojnë se më shumë se kushdo janë braktisur kandidatët e zotit Basha. Ky i fundit deklaroi më tej se partia e tij është gjendur në një sulm të shumëfishtë, dhe se përgjigja do të jetë reformimi i PD-së dhe përshpejtimi i reformës zgjedhore.

Zoti Berisha dhe mbështetësit e tij, ose siç njihet ndryshe Komisioni për rithemelimin e Partisë Demokratike, u shprehën sot se “vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t'u ringritur plot besim dhe shpresë”. Duke ironizuar më pas kryetarin demokrat, ata shprehen se “vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t'i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun electoral”.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij foli me tone të një entuziazmi të përmbajtur. Sipas tij rezultati ishte e pritshëm, duke shtuar se ndonëse “me një fushatë pa i ndezur motorët e qendrës” ata arritën një diferencë votash me rivalët që kishte shkuar përtej projekzioneve të atyre vetë. Ai nuk u zgjat më shumë në komentimin e zgjedhjeve, ndërsa theksoi situata e luftës në Ukrainë, me efektet e saj që po shtrihen dita ditës në gjithë globin, e bënte të pamundur shijimin e fitores.

Rezultatet

Vora ishte bashkia ku rezultati u shpall që mbrëmë. Kandidati socialist Blerim Shera siguroi 69.39 përqind të votave, përkundrejt 24.3 përqind të marra nga Lulzim Vrana, i Shtëpisë së Lirisë dhe 6.29 që kanë shkuar për kandidatin demokrat Ymer Marku.

Rrogozhinë, po ashtu socialistët arritën të marrin 60.73 përqind të votave me kandidatin e tyre Edison Memolla, ndërsa dy rivalët e tjerë të opozitës ndanë 21.96 përqind (Ferdinand Saraçi i PD) dhe 17.31 përqind (Hekuran Xhani i Shtëpisë së Lirisë).

Lushnja, ishte bashkia e tretë ku socialistët u rikonfirmuan me fitoren e kandidates së tyre Eriselda Sefa. Ajo arriti të marrë mbështetjen e 59.4 përqind të votuesve. Dy kandidatët e tjerë ndanë 30.9 përqind (Elton Bano i Shtëpisë së Lirisë) dhe 10.7 përqind të votave (Indrit Sefa i PD).

Në Dibër, po ashtu socialistët arritën një fitore të pastër, me diferencë të ndjeshme nga rivalët e tjerë. Kandidati i tyre Rrahim Spahiu është përpara me 60 .82 përqind të votive. Dy kandidatët e tjerë të djathtë, u ndanë me një numër prej disa dhjetra votash. Shpëtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë ka 19.46 përqind, dhe Luan Haka 19.28 përqind të votave, ndëkohë që kutia e fundit ka qenë e dëmtuar dhe nuk është hapur.

Shkodra, do të drejtohet nga Bardh Spahia, kandidat i ish kryeministrit Berisha. Ai mori 43.6 përqind të votave, i ndjekur nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni me 39.57 përqind. Diferenca mes tyre është prej pak më shumë se 1800 vota. Kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati ka 16.86 përqind.

Durrës, një tjetër qytet i madh dhe i rëndësishëm, socialistët kanë ruajtur epërsinë e tyre. Kandidatja e tyre, Emirjana Sako arriti të merrte 58.36 përqind. Në vend të dytë është kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka me 29.6 përqind, ndërsa kandidati demokrat Luan Hoti ka vetëm 10.02 përqind.

XS
SM
MD
LG