Lidhje

Dita Ndërkombëtare e Gruas për nënat ukrainase refugjate


Ndërsa pjesa më e madhe e botës feston sot Ditën Ndërkombëtare të Gruas, qindra mijëra gra ukrainase janë larguar nga shtëpitë e tyre duke ndërmarrë udhëtime të vështira drejt destinacioneve të panjohura për t’u larguar nga një luftë shkatërruese.

Dita Ndërkombëtare e Gruas për nënat ukrainase refugjate
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Një dekret i qeverisë së Ukrainës që ndalon meshkujt e moshës 18 deri në 60 vjeç të largohen nga vendi do të thotë se shumica e atyre që ikin nga Ukraina janë gra dhe fëmijë.

Kjo politikë, që synon të inkurajojë burrat që të regjistrohen për të luftuar kundër agresionit rus ose për t'i mbajtur ata të disponueshëm për t’u rekrutuar në forcat e armatosura, do të thotë se gratë, fëmijët dhe të moshuarit largohen më vete.

Mesazhet tradicionale të dashurisë dhe mbështetjes u shpërndanë në rrjetet sociale ashtu si vitet e kaluara, por shumë prej tyre ishin të ngjyrosura me pikëllim dhe lutje për paqe.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy hapi fjalimin e mëngjesin e së martës duke thënë: “Ukrainas, ne zakonisht e festojmë këtë festë, festën e pranverës. I urojmë gratë, vajzat, gratë, nënat tona. Zakonisht. Por jo sot”.

“Sot nuk mund të them fjalët tradicionale. Unë thjesht nuk mund t'ju përgëzoj. Nuk mundem, kur ka kaq shumë vdekje. Kur ka kaq shumë pikëllim, kur ka kaq shumë vuajtje. Kur lufta të vazhdojë”, tha ai.

Pasi udhëtoi për dy ditë me djalin e saj 9-vjeçar nga Bakhmuti në Ukrainën lindore, Katarina Pavlovna mbërriti në një stacion treni në qytetin kufitar hungarez të Zahonit.

Katarina, e cila punonte në një zyrë postare në Bakhmut përpara se Rusia të fillonte sulmin e saj ndaj Ukrainës, thotë se nuk donte të largohej nga shtëpia e saj në rajonin e Donjeskut, por nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mbronte fëmijën e saj.

"Unë do të doja t'u uroj grave të qëndrojnë të forta, me mendje të ftohtë. Është më mirë të shpëtoni jetën tuaj dhe të prisni pak. Gratë ukrainase janë më të fortat në shpirt, gjithçka do të bëhet mirë. Ne besojmë në të", thotë Katarina.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës, në atë që po quhet kriza më e shpejtë e refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shumica e refugjatëve po kërkojnë strehim në Poloni – më shumë se 1 milion kanë hyrë në vend që nga e hëna e kaluar– ndërsa rreth 180,000 kanë kaluar kufirin e Ukrainës për në Hungari.

Nataliya Grigoriovna Levchinka, 65 vjeç, udhëtoi për 36 orë me vajzën dhe nipin e saj nga shtëpia në rajonin Donjeskut të Ukrainës.

Nga një dhomë pritjeje në stacionin e trenit në Zahoni, mësuesja tani në pension thotë se ndjente sikur po jetonte një lloj ëndrre të tmerrshme nga e cila nuk mund të zgjohej.

"Çfarë mund të them? Nuk do të mblidhja dot veten nëse nuk do të ishte vajza ime. Ne lamë gjithçka, familjen, miqtë, gjithçka për çfarë jetuam, gjithçka e lamë pas", thotë ajo.

Polina Shulga, 27 vjeç, e cila punonte në një qendër rehabilitimi në Kiev, hipi në një tren me vajzën e saj trevjeçare Aria në kryeqytetin e Ukrainës të dielën dhe mbërriti në Zahoni të hënën.

Ajo i tha vajzës se do të shkonin me pushime dhe se do të ktheheshin në shtëpi në Kiev.

“Po, sigurisht që është e vështirë të udhëtosh vetëm me një fëmijë, por i shpjegova se do të shkojmë me pushime dhe se patjetër do të kthehemi në shtëpi një ditë kur të përfundojë lufta. Ndjej përgjegjësi për fëmijën tim, ndaj e kisha më të lehtë ta hedh këtë hap dhe të largohesha sepse nëse nuk do të kisha pasur një fëmijë, ndoshta nuk do të kisha guxuar të shkoja drejt një situate të panjohur”, thotë Polina.

Ajo tha se ishte e shqetësuar për çfarë do të ndodhte, por beson se përvoja po e bënte një grua më të fortë.

XS
SM
MD
LG