Lidhje

Eksodi i kompanive perëndimore nga Rusia pas sulmit ndaj Ukrainës


Logoja e kompanisë së karburanteve BP

Një numër gjithnjë e në rritje biznesesh perëndimore po ndalin operacionet e tyre në Rusi, ose po largohen përgjithmonë, për shkak të sulmit ushtarak ndaj vendit fqinj, Ukrainës.

Goditja kryesore për ekonominë ruse ka gjasa se do të vijë nga industria jetike e karburantit dhe gazit. Ben van Beurden, drejtori ekzekutiv i kompanisë Shell Oil, me seli në Britani, kërkoi ndjesë të martën për blerjen e naftës krudo nga Rusia javën e kaluar, dhe tha se kompania do t'u japë fund të gjitha operacioneve në Rusi, përfshirë ato për gazin natyror.

Kompania Shell kishte njoftuar më parë se po largohej nga bashkëpunimi me kompaninë shtetërore ruse Gazprom dhe nga gazsjellësi Nord Stream 2, i ndërtuar për të sjellë gazin natyror nga Rusia drejt Evropës Perëndimore. Edhe kompania tjetër britanike BP njoftoi në fillim të javës së shkuar se po tërhiqte investimin e saj prej 14 miliardë dollarësh nga kompania shtetërore ruse e karburantit dhe gazit, Rosneft.

Një makinë Nissan gjatë një panairi të makinave në Moskë (26 gusht 2010)
Një makinë Nissan gjatë një panairi të makinave në Moskë (26 gusht 2010)

Kompanitë japoneze të prodhimit të makinave, Toyota dhe Nissan, kanë njoftuar se synojnë të pezullojnë prodhimin në fabrikat e tyre në qytetin port Shën Pjetërburg dhe se do t'i japin fund të gjithë eksportit të makinave drejt Rusisë. Një tjetër kompani japoneze, Honda, ka ndalur të gjitha eksportet drejt Rusisë, përfshirë motoçikletat dhe motorët.

Një tjetër kompani prodhuese që po ndërpret lidhjet me Rusinë është gjigandi i aviacionit me qendër në SHBA, kompania Boeing, e cila ka pezulluar blerjen e titaniumit që përdoret për prodhimin e avionëve.

Të martën, kompania e ushqimit fast-food McDonald's njoftoi se do të mbyllë përkohësisht 850 restorantet e saj në Rusi, duke shtuar se do të vazhdojë të paguajë 62 mijë personat që ka të punësuar atje.

Një restorant McDonald's në Shën Pjetërburg, Rusi
Një restorant McDonald's në Shën Pjetërburg, Rusi

Po të martën, gazeta The New York Times njoftoi se po tërheq gazetarët e saj nga Rusia, si reagim ndaj një ligji të ri që vendos dënime me burg për ato që qeveria i quan "lajme false".

Rrjeti britanik BBC, kanali Bloomberg dhe media të tjera tërhoqën stafin e tyre javën e kaluar.

Në sektorin e veshjeve, kompania legjendare e xhinseve amerikane Levi Strauss njoftoi të hënën se po pezullon shitjen e produkteve të saj dhe po i jep fund të gjitha investimeve të reja në Rusi, duke thënë se objektivat e biznesit "janë qartësisht dytësore përkundër vuajtjeve njerëzore që po përjetojnë kaq shumë njerëz". Kompania Levi Strauss tha se do të dhurojë 300 mijë dollarë për të mbështetur përpjekjet humanitare në Ukrainë të drejtuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe organizata CARE.

Logoja e kompanisë së kartave të kreditit VISA shfaqet në hyrje të hotelit Marriot Novy Arbat në Moskë, Rusi, gjatë organizimit të Kupës së Botës së Futbollit 2018
Logoja e kompanisë së kartave të kreditit VISA shfaqet në hyrje të hotelit Marriot Novy Arbat në Moskë, Rusi, gjatë organizimit të Kupës së Botës së Futbollit 2018

Edhe kompanitë e shërbimeve financiare po i ndërpresin marrëdhëniet. Kompanitë e kartave të kreditit, Visa dhe Mastercard, së bashku me kompanitë e pagesave PayPal, njoftuan javën e kaluar se po pezullonin operacionet në Rusi. Kompania rivale American Express njoftoi më 1 mars se po pezullon bashkëpunimin me partnerët bankarë rusë. Kompania amerikane Vanguard, firma kryesore e investimeve në botë, thotë se i ka dhënë fund investimeve në Rusi dhe po punon për të tërhequr të gjitha fondet e saj.

Edhe kompanitë teknologjike dhe të industrisë së argëtimit po i kthejnë shpinën Rusisë, për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Kompania amerikane Netflix ka pezulluar të gjitha shërbimet në Rusi dhe po u jep fund të gjitha projekteve të ardhshme dhe blerjeve të reja. Ndërkohë, gjigandët e Hollivudit, kompanitë Warner Brothers, Disney dhe Sony Pictures, kanë shtyrë shfaqjen në Rusi të filmave të tyre të rinj.

Produktet e kompanisë Apple në qytetin Omsk, Rusi (2 mars 2022)
Produktet e kompanisë Apple në qytetin Omsk, Rusi (2 mars 2022)

Kompania Apple ka bllokuar aplikacionet e kanaleve ruse RT News dhe Sputnik News, ndërsa kompanitë Google dhe TikTok kanë bllokuar nga platformat e tyre kanalet e mediave shtetërore ruse.

Gjithashtu, kompania Apple ka ndalur shitjen e telefonave iPhone dhe të paisjeve të tjera në Rusi. Kompania amerikane e prodhimit të kompjuterave Dell Technologies ka pezulluar shitjen e produkteve të saj në Rusi dhe Ukrainë.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve The Associated Press dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG