Lidhje

Zelenskyy thirrje për sanksione më të ashpra pas sulmit në një spital në Mariupol


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje Perëndimit që të vendosë sanksione edhe më të ashpra ndaj Rusisë pas sulmit ajror në një maternitet në Mariupol.

"Ndaj ukrainasve po kryhet gjenocid", tha zoti Zelenskyy të mërkurën në fjalimin e tij të përditshëm në mbrëmje vonë drejtuar kombit. Ai tha se Perëndimi duhet të forcojë sanksionet në mënyrë që Rusia "të mos ketë më asnjë mundësi për të vazhduar këtë gjenocid", sikurse tha ai.

Sipas zotit Zelenskyy si pasojë e sulmit u plagosën 17 persona, përfshirë edhe gra shtatzëna.

Prej nëntë ditësh Mariupoli është bllokuar nga trupat ushtarake ruse. Zyrtarët e qytetit thanë të mërkurën se që nga fillimi i agresionit rus janë vrarë rreth 1200 banorë.

Zoti Zelenskyy u bëri thirrje përsëri udhëheqësve perëndimorë që të shpallin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, diçka që anëtarët e NATO-s kanë refuzuar ta bëjnë nga frika e provokimit të një lufte më të gjerë me Rusinë. Zoti Zelenskyy bëri thirrje edhe për dërgimin e më shumë avionëve luftarakë në Ukrainë, një propozim që Pentagoni e hodhi poshtë të mërkurën.

Sipas presidentit të Ukrainës rreth 35,000 civilë kanë përdorur korridoret humanitare duke u zhvendosur në pjesën perëndimore të vendit me synimin për t'i shpëtuar luftimeve.

N

XS
SM
MD
LG