Lidhje

Maqedonia e Veriut propozon paketë lehtësuese ekonomike përballë krizës


Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi të mërkurën planet për një pakete ekonomike për të lehtësuar krizën ekonomike në vend që ka prekur së fundmi konsumatorët me ngritjen e çmimeve në treg.

Paketa parashikon që prodhimet kryesore ushqimore si buka, mielli, vaji, mishi, qumështi, vezët dhe ushqime të tjera, të shiten pa tatime (TVSH), apo uljen e tatimeve në 5% ; uljen e akcizës për çmimin e naftës dhe derivateve të saj.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke folur në një konferencë shtypi për këto masa, tha se do të bëhet edhe ngrirja e diferencës së çmimeve të përfitimit të tregtarëve nga një pjesë e prodhimeve ushqimore bazë “për të zbutur tronditjen” nga rritja e çmimeve në treg. Ai tha se bëhet fjalë për 26 masa dhe rekomandime që kapin shifrën prej 400 milionë eurosh, që synon mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe ndihma ndaj kompanive.

Masat parashikojnë subvencione, apo ndihmë për 35 mijë qytetarë për furnizimin me artikuj kryesorë ushqimorë në një vlerë prej 1,000 denarësh (18 dollarë) në muaj për tre muajt e ardhshëm.

Maqedonia e Veriut, sikur se shumë vende të tjera e ka ndier efektin e agresionit rus ndaj Ukrainës që ka bërë të thellohet kriza energjetike dhe ekonomike në rrafsh global. Vetëm para pak ditësh benzina dhe nafta në Maqedoninë e Veriut u shtrenjtuan për 10 denarë (18 cent) duke e çuar çmimin në 85,5 dënarë (1.52 dollarë) për një litër naftë dhe 91,5 denarë për një litër benzinë. Kjo shkaktoi një lloj paniku tek qytetarët, të cilët iu drejtuan pompave të benzinës, teksa një pjesë e këtyre pompave nuk i shërbyen menjëherë konsumatorët, me qëllim të përfitimit nga ngritja e paralajmëruar e çmimeve.

Ky do të jetë një vit i vështirë, por me masa të mira do t’ia dalim”, tha kryeministri maqedonas.

Masat e planifikuara lehtësuese, po ashtu mundësojnë heqjen e TVSH-së për importin e gazit natyror dhe energjisë elektrike.

Zoti Kovaçevski dhe ministrat e resorëve ekonomikë thonë se vendi po furnizohet pa ndërprerë me karburante përmes porteve greke dhe se nuk ka asnjë pengesë në këtë drejtim.

Ndërkohë, një pjesë e këtyre masave duhet të miratohen në parlament. Ndërsa, opozita si maqedonase edhe ajo shqiptare kërkojnë uljen deri në 50 % të akcizave të naftës.

XS
SM
MD
LG