Përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, protestuan të shtunën përpara selisë së misionit të përhershëm të Federatës Ruse në Kombet e Bashkuara.
Aktivisti Mark Gjonaj tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se shqiptarët e Amerikës ia dolën të flasin me një zë në përkrahje të popullit të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Zoti Gjonaj foli dhe mbi komentet e Presidentit rus Vladimir Putin, përpara nisjes së sulmit në Ukrainë, ku ai krahasonte rastin e Krimesë me atë të Kosovës, një tezë që shihet nga ekspertët si një justifikim për aneksimin e padrejtë të Krimesë apo lëvizjet e Moskës në raport me rajonet e tjera separatiste në Ukrainë.
Zoti Gjonaj thotë se Moska po synon të krijojë Rusinë e madhe. Ai shton se populli shqiptar e di më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të kërcënohesh pa të drejtë, e për interesa të një kombi tjetër.