Lidhje

BE, Borrell në Tiranë: Paketa e re e sanksioneve, goditje e rëndë për Moskën


Bashkimi Europian miratoi sot paketën e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë në përpjekje për të rritur trysninë ekonomike ndaj Kremlinit. “Kjo është një goditje tjetër e madhe ndaj bazës ekonomike dhe logjistike, mbi të cilën Putini po ndërton pushtimin dhe po merr burimet për ta financuar atë”, deklaroi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Joseph Borrell, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ndalesa e dytë e një turi të tij në rajonn e Ballkanit.

Borrell: Paketa e re e sanksioneve, goditje e rëndë për Moskën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00


“Masat që po ndërmarrim do të kenë ndikim, do të prekin tregtinë ruse, qasjen në tregje, anëtarësimin në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare, kriptopasuritë, eksportin e mallrave dhe po ashtu në shënjestër ne kemi vënë dhe sektorë kritikë të ekonomisë, si për shembull sektorët e çelikut dhe të energjisë”, shpjegoi ai duke shtuar se “po ashtu, në listën tonë, ne po shtojmë gjithnjë e më shumë individë, kemi tashmë 800 individë dhe kompani, të cilat luajnë një rol aktiv në mbështetjen që i japin Putinit, dhe që minojnë sovranitetin e Ukrainës nga qeveria ruse”.
Përfaqësusi i lartë i BE-së vlerësoi qëndrimin por dhe rolin e luajtur nga Shqipëria si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit. “Shqipëria e ka treguar qartë që është një nga partnerët më të besueshëm të Bashkimit Europian dhe në botë. Politikat e Shqipërisë janë 100 për qind në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, edhe përpara luftës, e në këto kohë sprove Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj, përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, qëndrimi i Shqipërisë, ka qenë “një zgjedhje e natyrshme. Në Ukrainë luhet fati i kësaj bote që kemi dhe qëndrimi ynë nuk është qëndrim parimor, në raport me një vend dhe me një popull tjetër, por është qëndrim jetësor, ekzistencial, në raport me fëmijët tanë dhe këtë atdhe që e kemi trashëgim nga të parët tanë dhe ku jemi thjesht kalimtarë”.
Pushtimi rus në Ukrainë, duket se ka ngritur më tej shqetësimin për ndikimin e Moskës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e për pasojë përshpejtimin e procesit të integrimit europian të rajonit. “Ne jetojmë në momente, në të cilat stabilitetit dhe të qenit të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë më parë. Ka ardhur koha tashmë që të rigjallërohet procesi i zgjerimit, dhe Ballkani Perëndimor të integrohet në mënyrë të pakthyeshme në Bashkimin Europian”, u shpreh zoti Borrell.
Shqipëria po pret prej një kohe të gjatë nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE, proces i cili praj gati më shumë se 1 viti, është bllokuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. “Edhe nga këndvështrimi më i gjerë që ka të bëjë me stabilitetin rajonal, me politikën e jashtme, të gjitha institucionet e kanë kuptuar fare qartë që, sot më shumë se kurrë, ne duhet të përfaqësojmë europianët e bashkuar me integrimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo duhet përmbushur në atë horizont kohor, sa më konkret që të jetë e mundur, brenda presidencës franceze”.
Influencat ruse në rajon kanë qenë shqetësuese prej kohësh, ndërsa Përfaqësuesi i lartë i BE-së foli dhe për një “rritje të dezinformimit rus, propagandës dhe gënjeshtrave sistemitike. Ne duhet ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse, kudo ku ajo ndodhet në Ballkanin Perëndimor, në disa vende më shumë se në disa të tjera”.
Kryeministri Edi Rama tregoi se lidhur me propagandën ruse, kishte diskutuar me zotin Borrell dhe “një aspekt tjetër që ka të bëjë me përmendjen e vazhdueshme të Shqipërisë nga ana e autoriteteve të Moskës, si një prani problematike në këtë konflikt dhe akuza se Shqipëria po furnizon Ukrainën me mercenarë, së bashku me Kosovën, është një akuzë, në radhë të parë, pa asnjë bazë sepse kjo është e pavërtetë, por edhe shqetësuese”.

XS
SM
MD
LG